Trump kërcënon televizionet ABC dhe NBC me heqjen e licencave, ekspertët paralajmërojnë për përplasje kushtetuese
July 18, 2026
Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer sulmet ndaj mediave kryesore televizive në SHBA, duke kërcënuar se stacionet e lidhura me rrjetet ABC dhe NBC mund të humbasin licencat e transmetimit pasi refuzuan të transmetonin drejtpërdrejt fjalimin e tij nga Shtëpia e Bardhë mbi sigurinë zgjedhore.
Në një postim dhe deklarata të bëra të enjten mbrëma, Trump akuzoi rrjetet televizive se po fshehin të vërtetën për zgjedhjet amerikane.
“Mashtrime të tilla duhet të çojnë në heqjen e licencave të tyre”, deklaroi presidenti, duke pretenduar se mediat nuk transmetuan fjalimin e tij sepse “nuk u pëlqen tema” dhe nuk duan të zbulojnë, sipas tij, korrupsionin në sistemin zgjedhor.
Trump shkoi edhe më tej duke akuzuar mediat se janë pjesë e një komploti politik.
“Ata dhe media të tjera janë pjesë e një komploti. Ata duan që ky mashtrim të vazhdojë, duan të mbrojnë të majtën radikale”, u shpreh ai.
Ndryshe nga mandati i parë presidencial i Trump, kur drejtuesit republikanë të Komisionit Federal të Komunikimeve (FCC) refuzuan të mbështesnin masa të tilla, situata aktuale ka ngritur shqetësime të reja.
Kryetari aktual i FCC-së, Brendan Carr, ka nisur një sërë hetimesh dhe shqyrtimesh ndaj kompanive mediatike që kanë qenë shpesh objekt kritikash nga Trump. Ai ka hapur hetime për praktikat e diversitetit në kompaninë Comcast, pronare e NBC-së, si dhe ka kërkuar rinovimin e parakohshëm të licencave të tetë stacioneve televizive në pronësi të ABC-së, një procedurë që teorikisht mund të çojë deri në revokimin e tyre.
Ekspertët e së drejtës kushtetuese paralajmërojnë se çdo përpjekje për të lidhur licencat e transmetimit me përmbajtjen editoriale do të përbënte një sfidë serioze ndaj Amendamentit të Parë të Kushtetutës amerikane, që garanton lirinë e shprehjes.
“Nuk kemi pasur kurrë në këtë vend një ligj që lejon një dekret mbretëror për mënyrën se si duhet të mbulohet lajmi. Nëse procedurat e licencimit lidhen drejtpërdrejt me faktin nëse rrjetet transmetojnë apo jo atë që dëshiron presidenti, atëherë çdo legjitimitet që mund të kenë pasur këto procedura zbehet menjëherë”, tha Robert Corn-Revere, ish-zyrtar i FCC-së dhe këshilltar ligjor i organizatës Foundation for Individual Rights and Expression.
Edhe Andrew Jay Schwartzman, një avokat me përvojë në çështjet e interesit publik, vlerësoi se një veprim i tillë do të ishte shumë i vështirë për t’u mbrojtur në gjykatë.
“Problemet ligjore dhe kushtetuese që lindin nëse Brendan Carr vepron sepse presidenti e kërkon publikisht do të krijonin çështje serioze që lidhen me Amendamentin e Parë dhe diskriminimin mbi bazën e pikëpamjeve”, tha ai.
Ndërkohë, aleatët konservatorë të Trump kanë shtuar presionin ndaj FCC-së. Ish-strategu i Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon, bëri thirrje që licencat e televizioneve të hiqen.
“Heqjani. Të shohim sa të fortë janë atëherë”, deklaroi Bannon në podcastin e tij.
Nga ana tjetër, demokratët kanë dënuar ashpër deklaratat e presidentit.
Komisionerja demokrate e FCC-së, Anna Gomez, tha se rrjetet televizive kanë të drejtë të vendosin vetë nëse transmetojnë ose jo fjalimet presidenciale.
“Është absurde të kërkohet heqja e licencave të transmetimit vetëm sepse televizionet kanë marrë të njëjtat vendime editoriale që kanë marrë edhe gjatë presidencave të të dy partive. Këto vendime mbrohen nga Amendamenti i Parë dhe FCC nuk ka autoritet të ndëshkojë një stacion televiziv që refuzon të transmetojë një fjalim me karakter të qartë politik. Ky është një përpjekje e hapur për të frikësuar transmetuesit dhe FCC nuk duhet të bëhet pjesë e saj”, deklaroi Gomez.
Edhe kongresmenia demokrate Doris Matsui shprehu shqetësim për hetimet e fundit të FCC-së ndaj mediave.
“Duke parë historikun e kryetarit Carr në trajtimin e ankesave me motive politike ndaj transmetuesve, kërcënimet e Presidentit Trump për heqjen e licencave duhet të merren seriozisht dhe të refuzohen. Kryetari Carr duhet të bëjë të qartë se nuk do të veprojë mbi bazën e këtyre kërcënimeve dhe nuk do të lejojë që FCC të përdoret si armë për hakmarrje politike”, tha ajo.
Megjithatë, ekspertët besojnë se edhe nëse FCC do të ndërmerrte hapa për revokimin e licencave, një vendim i tillë do të përballej me sfida të forta në gjykatë.
Profesori i së drejtës Stuart Benjamin nga Universiteti Duke tha se është e vështirë të imagjinohet që gjykatat amerikane të mbështesin një vendim të tillë.
“Mund të përpiqen ta paraqesin çështjen sa më teknike dhe juridike, por të gjithë do ta dinë se nga buron në të vërtetë kjo nismë. Dhe besoj se edhe një gjyqtar që do ta shqyrtojë nuk do të ketë shumë dyshime për këtë”, u shpreh Benjamin.