Trump heq sanksionet ndaj naftës ruse, ekspertët skeptikë për uljen e çmimeve

12 Oct 2026 • 10:35
Shpërndaje:

Marrëveshja mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin për lehtësimin e përkohshëm të sanksioneve ndaj karburantit dizel rus pritet të ketë ndikim të kufizuar në uljen e çmimeve, sipas ekspertëve të energjisë.

Trump e njoftoi marrëveshjen të premten, duke deklaruar se furnizimet nga Rusia do të ndihmojnë në përballimin e rritjes së ndjeshme të çmimeve të karburantit në Shtetet e Bashkuara, pas përshkallëzimit të konfliktit me Iranin.

Sipas marrëveshjes së shpallur nga presidenti amerikan, Rusia do të nxjerrë menjëherë në treg mbi 300 mijë tonë dizel, ndërsa 500 mijë tonë të tjera parashikohen për nëntorin dhe një milion tonë të tjerë më pas.

Reklamë Ola

Trump pretendoi se kjo masë do të sillte një ulje të shpejtë të çmimeve, duke theksuar se mbështetja për fermerët, transportuesit dhe bizneset amerikane mbetet një nga përparësitë e tij.

“Çmimet e karburantit për amerikanët dhe për botën do të ulen shpejt dhe në nivele rekord”, shkroi ai në platformën Truth Social.

Reklamë InterMedika

Ekspertët: Sasitë janë të pamjaftueshme

Megjithatë, analistët e tregut energjetik vlerësojnë se furnizimet e paralajmëruara janë shumë të vogla për të ndikuar ndjeshëm në çmimet globale.

Ashley Kelty, analiste e energjisë në bankën e investimeve Panmure Liberum, deklaroi se sasia fillestare prej 300 mijë tonësh nuk është e mjaftueshme për të ndryshuar situatën.

“Nuk do të ketë asnjë ndikim në çmime. Sasia e parë është shumë e vogël”, u shpreh ajo.

Sipas raportimeve, çmimi i dizelit në SHBA është rritur me afro 70% që nga fillimi i luftës me Iranin, duke arritur rreth 6.30 dollarë për galon. Edhe në Mbretërinë e Bashkuar çmimet kanë shënuar nivele rekord.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se rikthimi i karburantit rus në treg mund të krijojë ndërlikime për kompanitë ndërkombëtare, të cilat duhet të respektojnë regjimet e ndryshme të sanksioneve, përfshirë ato europiane.

Për të mundësuar marrëveshjen, Departamenti amerikan i Thesarit ka lehtësuar përkohësisht kufizimet ndaj tregtimit të dizelit rus deri më 7 prill 2027, ndërsa sanksionet e tjera ndaj Rusisë mbeten në fuqi.

Zelensky kundërshton marrëveshjen

Vendimi i Trump ka shkaktuar reagimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili e cilësoi marrëveshjen si një vendim të dobët që mund të inkurajojë Moskën të vazhdojë luftën në Ukrainë.

Zelensky paralajmëroi se lehtësimi i kufizimeve ekonomike ndaj Rusisë mund të dobësojë presionin ndërkombëtar mbi Kremlinin.

Nga ana tjetër, Trump fajësoi sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike ruse për ndikimin e tyre në çmimet e karburantit, duke ashpërsuar kritikat ndaj Kievit.

Presidenti ukrainas deklaroi të dielën se është i gatshëm të ndalojë sulmet ndaj rafinerive ruse, nëse Moska ndërpret sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.

Marrëveshja vjen pak javë përpara zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, ndërsa rritja e çmimeve të energjisë mbetet një shqetësim për administratën amerikane.

Pavarësisht premtimeve të Trump, analistët vlerësojnë se mbetet e paqartë nëse furnizimet ruse do të sjellin lehtësim të qëndrueshëm për konsumatorët.