Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti në Kryesinë e Kuvendit ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, në kuadër të takimeve të para zyrtare të diplomatit amerikan në Tiranë.
Gjatë takimit, Peleshi i uroi Wendt mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re, ndërsa vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve.
Në fokus të bisedës ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh dhe roli i Kuvendit në thellimin e marrëdhënieve Shqipëri–SHBA.
Takimi me Peleshin vjen pas kontakteve të para të ambasadorit amerikan me drejtuesit e institucioneve shqiptare. Wendt është takuar më herët edhe me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Eric Wendt e nisi zyrtarisht misionin diplomatik në Shqipëri më 26 shtator, kur i paraqiti letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj. Gjatë ceremonisë, kreu i shtetit rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara.
Ambasadori i ri amerikan ka një eksperiencë të gjatë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, ndërsa ndër prioritetet e mandatit të tij në Shqipëri ka renditur luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe sigurinë kibernetike.


