“Prania Besnike” vijon sot në gjithë vendin, Rama: Takimet në orën 17:00

02 Oct 2026 • 09:09
Shpërndaje:

Nisma “Prania Besnike”, përmes së cilës përfaqësues të Partisë Socialiste zhvillojnë dëgjesa me qytetarët për problematikat dhe ankesat e tyre, vijon këtë të premte në të gjithë vendin.

Kryeministri Edi Rama njoftoi se takimet do të zhvillohen në orën 17:00, sipas kalendarit të përcaktuar për këtë mekanizëm komunikimi me qytetarët.

“Mirëmëngjes, dhe me të premten e Pranisë Besnike, që sot vijon në orën 17.00 në të gjithë Shqipërinë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama.

Reklamë Ola

“Prania Besnike” nisi në fillim të shtatorit dhe, sipas Ramës, do të zhvillohet çdo të premte në të njëjtën orë. Takimet janë konceptuar si dëgjesa individuale, pa kamera dhe pa dallim përkatësie partiake, ku shqetësimet e qytetarëve regjistrohen dhe u përcillen institucioneve përgjegjëse.

Javën e kaluar, Rama nuk mori pjesë në këto takime për shkak të qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara, ku mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Reklamë InterMedika

Nisma është pjesë e qasjes së re të qeverisë dhe Partisë Socialiste për komunikimin me qytetarët dhe ndjekjen e problematikave të ngritura prej tyre. Gjatë javëve të para të zbatimit, përfaqësues të qeverisë dhe deputetë kanë raportuar për rritje të numrit të dëgjesave dhe për përcjelljen e ankesave pranë institucioneve përkatëse.

Paralelisht, qeveria ka prezantuar edhe platformën “Pasqyrë Albania”, e cila synon të mundësojë ndjekjen e ankesave dhe kërkesave të qytetarëve në mënyrë të centralizuar.

Platforma parashikohet të funksionojë përmes dy mekanizmave: “Flamingo Albania”, për mbledhjen e problematikave që nuk kanë marrë zgjidhje nga administrata, dhe “Radar”, për gjurmimin në kohë reale të institucionit që po trajton kërkesën dhe fazës në të cilën ndodhet ajo.

Sipas projektit të prezantuar nga qeveria, synimi është që problematikat e qytetarëve të marrin përgjigje ose të adresohen brenda një afati prej rreth dy javësh.