Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë ka thirrur të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Sofje, pas vendimit të autoriteteve maqedonase për të mos lejuar hyrjen në vend të deputetit bullgar Angel Georgiev.
Georgiev, kryetar i Komisionit parlamentar për Politikat ndaj Bullgarëve Jashtë Vendit dhe deputet i partisë “Vazrazhdane”, u ndalua të hynte në Maqedoninë e Veriut më 27 shtator.
Ai po udhëtonte si pjesë e një delegacioni parlamentar bullgar drejt Koçanit, ku një ditë më vonë do të zhvillohej seanca gjyqësore ndaj Iva Mihailovës, e cila ka shtetësi maqedonase dhe bullgare.
Ministria e Jashtme bullgare kërkoi nga përfaqësuesja diplomatike e Shkupit shpjegime mbi arsyet e refuzimit të hyrjes, duke theksuar se Georgiev kishte udhëtuar më parë pa pengesa në Maqedoninë e Veriut për të ndjekur seanca të tjera të së njëjtës çështje.
Sofja e ka cilësuar veprimin e autoriteteve maqedonase si “provokues”, duke e ngritur çështjen në nivel diplomatik.
Vetë Georgiev deklaroi se në pikën kufitare fillimisht nuk iu dha një shpjegim dhe se më pas iu komunikua se kishte detyrime të papaguara për shpenzime gjyqësore. Sipas tij, këto lidhen me një çështje të mëparshme ndaj një grupi të partisë së tij pas një vizite në Kajmakçalan.
Deputeti pretendon se nuk ishte njoftuar për procedurën dhe ka kundërshtuar mënyrën se si është trajtuar çështja. Autoritetet bullgare, ndërkohë, po kërkojnë një shpjegim zyrtar nga Shkupi për vendimin e 27 shtatorit.
Incidenti vjen në një periudhë kur marrëdhëniet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut mbeten të ndjeshme, veçanërisht për çështjet që lidhen me komunitetin bullgar dhe procesin e integrimit europian të Shkupit.


