BE drejt reformës së madhe, synon kufizimin e vetove para zgjerimit

30 Sep 2026 • 09:16
Shpërndaje:

Komisioni Evropian po përgatitet të propozojë një reformë të gjerë të mënyrës së vendimmarrjes në Bashkimin Evropian, me synimin për ta bërë Unionin funksional edhe pas një zgjerimi që mund ta çojë në më shumë se 30 vende anëtare. Planet janë ende në fazën e draftit dhe pritet të paraqiten zyrtarisht nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Sipas dokumenteve të brendshme të raportuara fillimisht nga “Rapporteur”, një prej ndryshimeve kryesore lidhet me kufizimin e rasteve kur një shtet i vetëm mund të bllokojë vendimmarrjen përmes vetos.

Komisioni po shqyrton përdorimin më të gjerë të të ashtuquajturave “passerelle clauses”, mekanizma që ekzistojnë në traktatet e BE-së dhe që, në kushte të caktuara, lejojnë kalimin nga unanimiteti në votimin me shumicë të cilësuar pa qenë e nevojshme ndryshimi formal i traktateve.

Reklamë Ola

Një mekanizëm i tillë mund të përdoret edhe në disa etapa të ndërmjetme të procesit të anëtarësimit. Megjithatë, unanimiteti do të vazhdonte të kërkohej për vendimet themelore që lidhen me pranimin e një shteti të ri në BE. Diskutimi për përdorimin e shumicës së cilësuar në disa hapa të ndërmjetëm të zgjerimit është ngritur edhe më herët nga Komisioni.

Arsyeja është rreziku që, me shtimin e numrit të vendeve anëtare, një numër i vogël qeverish të mund të vonojnë ose bllokojnë vendime që mbështeten nga pjesa tjetër e Unionit.

Reklamë InterMedika

Ndryshimet nuk do të kufizoheshin vetëm te zgjerimi. Draftet parashikojnë përdorim më të gjerë të votimit me shumicë të cilësuar edhe në fusha si sanksionet, të drejtat e njeriut, siguria dhe çështje të tjera të politikës së përbashkët.

Në të njëjtën kohë, në diskutim janë masa mbrojtëse për rastet kur një qeveri vlerëson se preken interesa thelbësore kombëtare, duke krijuar një lloj mekanizmi frenimi emergjent.

Një tjetër çështje është përbërja e ardhshme e Komisionit Evropian. Aktualisht secili prej 27 vendeve ka një komisioner, por traktatet lejojnë edhe një Kolegj më të vogël, me një numër anëtarësh të barabartë me dy të tretat e numrit të shteteve të BE-së.

Draftet parashikojnë gjithashtu masa më të forta mbrojtëse ndaj vendeve që do të anëtarësohen në të ardhmen. Reuters raporton se ndër propozimet është një angazhim i përkohshëm që vendet e reja të mos përdorin veton për të bllokuar vendime të mbështetura nga pjesa tjetër e Unionit, si dhe mundësia e pezullimit të disa të drejtave në rast të problemeve me standardet demokratike.

Reforma lidhet drejtpërdrejt me përgatitjet për valën e ardhshme të zgjerimit. Shqipëria është mes vendeve kandidate më të avancuara, ndërsa Komisioni ka konfirmuar se po përgatit udhërrëfyes për kandidatët që kanë ecur më shumë në proces. Shqipëria i ka hapur negociatat për të 33 kapitujt dhe në korrik mbylli përkohësisht tre prej tyre.

Megjithatë, ndryshimet e propozuara pritet të hapin negociata të vështira mes 27 vendeve, veçanërisht për çështjen e vetos dhe transferimin e mëtejshëm të vendimmarrjes drejt shumicës së cilësuar.