Senati amerikan ka bllokuar një nismë të demokratëve që kërkonte nga Departamenti i Shtetit një raport mbi situatën e të drejtave të njeriut në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë vdekjen e nëntë shtetasve amerikanë që nga viti 2022.
Mocioni për të avancuar rezolutën e senatorit demokrat Chris Van Hollen mori 47 vota pro dhe 51 kundër. Votimi u zhvillua kryesisht sipas ndarjeve partiake: demokrati John Fetterman votoi kundër, ndërsa republikani Rand Paul iu bashkua mbështetësve të nismës. Dy senatorë republikanë nuk votuan.
Rezoluta kërkonte që Departamenti i Shtetit, brenda 30 ditësh nga miratimi, t’i paraqiste Kongresit informacion mbi hetimet për vdekjen e shtetasve amerikanë të vrarë nga kolonë izraelitë ose forcat izraelite të sigurisë, si dhe një vlerësim më të gjerë të situatës së të drejtave të njeriut në Bregun Perëndimor.
Në fokus do të ishte gjithashtu trajtimi dhe ndalimi i fëmijëve palestinezë. Nisma u paraqit në bazë të seksionit 502B të Aktit të Ndihmës së Jashtme, i cili i jep Kongresit mekanizma për të kërkuar informacion mbi respektimin e të drejtave të njeriut nga vendet që marrin ndihmë amerikane për sigurinë.
Sipas tekstit zyrtar të rezolutës, të paktën nëntë shtetas amerikanë janë vrarë në Bregun Perëndimor që prej janarit 2022. Mes tyre përmenden gazetaria palestinezo-amerikane Shireen Abu Akleh, Aysenur Ezgi Eygi, Sayfollah Kamel Musallet, Omar Assad dhe disa viktima të tjera.
Një prej rasteve më të fundit është ai i 20-vjeçarit Sayfollah Musallet nga Florida, i cili u vra në korrik 2025 gjatë një përplasjeje me kolonë izraelitë pranë fshatit Sinjil. Rrethanat e disa prej rasteve dhe niveli i përgjegjësisë së autorëve vazhdojnë të jenë objekt pretendimesh, hetimesh dhe kërkesash për llogaridhënie.
Van Hollen dhe senatorët që mbështetën rezolutën argumentuan se Uashingtoni duhet të kërkojë përgjigje për vdekjen e shtetasve amerikanë dhe për mënyrën se si përdoret ndihma amerikane për sigurinë. Rezoluta nuk parashikonte ndërprerje të menjëhershme të ndihmës për Izraelin, por mosdorëzimi i raportit, nëse masa do të miratohej, mund të hapte rrugën për kufizime të caktuara sipas ligjit amerikan.
Republikanët që kundërshtuan nismën argumentuan se ajo do të dëmtonte marrëdhëniet SHBA-Izrael në një periudhë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme.


