Franca u ka kërkuar autoriteteve izraelite të arrestojnë dhe të nxjerrin para drejtësisë autorët e sulmit ndaj diplomatëve europianë në Bregun Perëndimor, duke kërkuar masa për t’u dhënë fund akteve që i cilësoi si “akte terrori”.
Sulmi ndodhi të shtunën në Taybeh, një qytezë me shumicë të krishterë në veri të Jerusalemit. Diplomatë dhe zyrtarë nga Franca, Polonia dhe Belgjika ndodheshin aty për të vëzhguar banorët vendas gjatë mbledhjes së ullinjve, kur u sulmuan nga kolonë izraelitë të maskuar.
Pamjet filmike tregojnë kolonë që përballen me autokolonën diplomatike, ndërsa një burrë me shiritin trengjyrësh francez shihet i rrëzuar pranë një automjeti.
Në një deklaratë të publikuar të dielën, Ministria e Jashtme franceze e cilësoi ngjarjen një sulm jashtëzakonisht të rëndë. Ajo theksoi se Izraeli ka detyrimin, sipas së drejtës ndërkombëtare, të garantojë sigurinë e popullsisë civile dhe të misioneve diplomatike.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, njoftoi se kryebashkiaku i Aulnoye-Aymeries ishte dhunuar nga kolonë ekstremistë në Bregun Perëndimor. Në një reagim në platformën X, ai kërkoi që Izraeli t’u japë fund urgjentisht këtyre akteve kriminale.
Homologu belg, Maxim Prévot, bëri të ditur se gjatë incidentit ishte dëmtuar edhe një automjet belg. Ai u kërkoi autoriteteve izraelite të mbrojnë palestinezët, të garantojnë sigurinë e diplomatëve dhe gazetarëve dhe të vënë përgjegjësit përpara drejtësisë.
Prévot shtoi se Belgjika do të vijojë të kërkojë sanksione të Bashkimit Europian ndaj autorëve të dhunës dhe atyre që i mbështesin.
Sulmi u dënua edhe nga Bashkimi Europian. Një zëdhënës i BE-së deklaroi të dielën se blloku dënon fuqimisht sulmet e kolonëve të dhunshëm në Bregun Perëndimor, përfshirë ato ndaj diplomatëve europianë. Ai kërkoi përgjegjësi të plotë dhe masa efektive për të parandaluar dhunën dhe ngacmimet ndaj palestinezëve, veçanërisht gjatë sezonit të mbledhjes së ullinjve, si edhe ndaj gazetarëve.
Ushtria izraelite e dënoi ngjarjen, duke konfirmuar se përfaqësues diplomatikë ishin sulmuar nga izraelitë të përfshirë në trazira. Sipas një verifikimi paraprak të saj, në vendngjarje nuk kishte ushtarë izraelitë në momentin e sulmit.
Ndërkohë, zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu bëri thirrje për kujdes përpara nxjerrjes së përfundimeve mbi raportimet, por theksoi se çdo dhunë ndaj diplomatëve është e papranueshme.


