Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka hyrë publikisht në debatin për protestat në Shqipëri, me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila ka marrë përsipër të komentojë jo vetëm mënyrën se si institucionet shqiptare po menaxhojnë situatën, por edhe kërkesat e vetë protestuesve.
Në një konferencë për mediat, Haxhiu tha se protestat në Tiranë po ndiqen me shqetësim në Kosovë dhe se institucionet shqiptare kanë detyrimin t’i dëgjojnë studentët.
“Është shumë e rëndësishme që kërkesat e protestuesve të dëgjohen nga institucionet. Besoj që secili prej drejtuesve të institucioneve atje, Kuvendi, Kryeministria apo Qeveria dhe Presidenca, e ka për obligim që t’i trajtojë kërkesat e studentëve”, deklaroi ajo.
Haxhiu shkoi më tej, duke paralajmëruar institucionet shqiptare se një qasje që ajo e cilësoi si arrogante mund të ushqejë edhe më shumë protestën.
Deklarata merr një tjetër peshë edhe për shkak të pyetjeve mbi praninë e mbështetësve të Vetëvendosjes në protestat në Tiranë. Haxhiu mohoi se partia e Albin Kurtit ka bërë thirrje zyrtare për pjesëmarrje, por njëkohësisht la të hapur mundësinë që simpatizantë të saj t’u jenë bashkuar tubimeve.
“Sa i përket pjesëmarrjes, duhet të theksoj që asnjëherë nuk ka pasur thirrje nga Vetëvendosja që të mbështeten protestat. Kjo nuk i takon Vetëvendosjes”, u shpreh ajo.


