Qeveria ka miratuar dhënien e një shpërblimi prej 269.120 lekësh për secilin nga 2.750 punonjësit e Policisë së Shtetit, për angazhimin e shtuar në garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë protestave në Tiranë.
Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të së hënës, më 19 tetor, pas njoftimit të bërë më herët gjatë ditës nga kryeministri Edi Rama.
Fondi i përgjithshëm për shpërblimet është 740.080.000 lekë dhe do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2026. Kjo shumë do t’i shtohet buxhetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në zërin e shpenzimeve korrente të programit “Policia e Shtetit”.
“Dhënie shpërblimi financiar në masën prej 269.120 lekësh për 2.750 punonjës të Policisë së Shtetit për angazhimin e shtuar në garantimin e rendit dhe të sigurisë publike”, përcakton vendimi.
Lista emërore e përfituesve do të hartohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, bazuar në dokumentacionin justifikues. Ky institucion do të kryejë edhe procedurat për dhënien e shpërblimit.
Për zbatimin janë ngarkuar Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.


