Degë bankash të mbyllura, BSH: Depozitat janë të sigurta

19 Oct 2026 • 16:15
Shpërndaje:

Bankat po ofrojnë prej katër ditësh shërbime të kufizuara në disa degë, pas sulmeve dhe dëmtimeve gjatë protestave. Banka e Shqipërisë ka siguruar se dëmtimi i ambienteve nuk cenon depozitat e klientëve apo qëndrueshmërinë financiare të bankave.

Edhe të hënën, bankat njoftuan përmes rrjeteve sociale se degët në zonat ku lëvizin protestuesit mbeten të mbyllura, ndërsa në disa pika të tjera shërbimi ofrohet me orar të kufizuar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, këto masa synojnë të garantojnë sigurinë fizike të punonjësve dhe klientëve.

Reklamë Ola

“Qytetarët duhet të jenë të qetë se kursimet e tyre janë të mbrojtura dhe nuk rrezikohen nga dëmtimet fizike të ambienteve”, thuhet në reagimin e bankës qendrore.

Institucioni thekson se, pavarësisht kufizimeve në disa degë, shërbimi i pagesave ka vijuar të funksionojë normalisht dhe pa ndërprerje, duke përmbushur nevojat e bizneseve dhe familjeve.

Reklamë InterMedika

Banka e Shqipërisë bëri gjithashtu thirrje për protesta paqësore dhe respektimin e institucioneve bankare, duke nënvizuar rëndësinë e tyre për ekonominë dhe jetën e përditshme të qytetarëve.

“Pas çdo dege bankare, çdo pagese apo transaksioni qëndrojnë familje që administrojnë kursimet e tyre, qytetarë që marrin pagat dhe pensionet, biznese që paguajnë punonjësit dhe vijojnë aktivitetin e tyre”, theksohet në deklaratë.

Sipas bankës qendrore, funksionimi normal i sistemit bankar lidhet drejtpërdrejt me mirëqenien e qytetarëve, vazhdimësinë e aktivitetit ekonomik dhe besimin në të ardhmen.