Pavarësisht shtimit të sulmeve ndaj infrastrukturës kritike dhe industrisë së mbrojtjes në Europë, vendet e NATO-s vijojnë të tregohen të kujdesshme ndaj masave të menjëhershme që mund të shkaktojnë një përshkallëzim të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Sipas diplomatëve të NATO-s, kryeqytetet europiane po shqyrtojnë disa alternativa. Mes tyre është hapja e një debati nëse një seri sulmesh hibride mund të arrijë pragun për aktivizimin e Nenit 5, i cili parashikon mbrojtjen e përbashkët të vendeve anëtare.
Në diskutim janë gjithashtu koordinimi më i mirë i deklaratave pas incidenteve, identifikimi i përbashkët i autorëve dhe forcimi i mbrojtjes së infrastrukturës kritike. Megjithatë, deri tani Europa po shmang masat drastike, kryesisht nga frika e një konflikti të hapur me Moskën.
“Kemi në dispozicion të gjitha alternativat e reagimit. Disa do të jenë publike dhe disa jo”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Ai paralajmëroi presidentin rus Vladimir Putin se vazhdimi i këtyre veprimeve do të sillte reagimin e Aleancës dhe forcimin e mëtejshëm të mbështetjes për Ukrainën.
Rritet presioni pas incidenteve të fundit
Shqetësimet janë shtuar për shkak të sabotimeve, sulmeve kibernetike dhe operacioneve të tjera që qëndrojnë nën pragun e luftës konvencionale.
Gjatë fundjavës, një dron rus goditi një tren pranë kufirit mes Ukrainës dhe Polonisë, pak pasi në të njëjtën zonë kishin kaluar zyrtarë të lartë perëndimorë të sigurisë.
Në Bullgari, autoritetet nisën hetimet për dy shpërthime në vende ku ruheshin armë. Ndërkohë, një sulm i dyshuar ndaj aeroportit të Lajpcigut në Gjermani ishte parandaluar muajin e kaluar.
“Presioni po rritet pas ngjarjeve në kufirin polak”, deklaroi një diplomat i lartë i NATO-s. Sipas tij, strategjia aktuale mbetet ruajtja e qetësisë dhe vazhdimi i mbështetjes për Ukrainën.
Deri tani, incidentet më serioze që autoritetet perëndimore ia atribuojnë Rusisë janë parandaluar. Megjithatë, zyrtarët europianë po përgatiten për mundësinë e një sulmi të suksesshëm që mund të shkaktojë viktima dhe të rrisë presionin publik për një përgjigje të fortë.
“Shërbimet sekrete kanë bërë një punë të mirë, por kemi pasur edhe fat. Nuk ka pasur incidente të mëdha. Nëse nuk veprojmë, situata mund të përkeqësohet ndjeshëm”, paralajmëroi një zyrtar i lartë europian i mbrojtjes.
Kryetarja e Komitetit të Mbrojtjes në Parlamentin Europian, Marie-Agnes Strack-Zimmermann, e cilësoi reagimin e Europës tepër të përmbajtur.
“Jemi shumë të ndrojtur. Vladimir Putin nuk ndalet, por afrohet vazhdimisht. Duhet të tregojmë se jemi të gatshëm të kundërpërgjigjemi”, deklaroi ajo.
Debati për aktivizimin e Nenit 5
NATO nuk ka hartuar ende zyrtarisht një plan të ri për t’iu përgjigjur shtimit të incidenteve hibride. Veprime të ndjeshme, si operacionet sulmuese kibernetike kundër Rusisë, zakonisht trajtohen nga shërbimet kombëtare të inteligjencës.
Megjithatë, disa vende aleate po diskutojnë në mënyrë joformale nëse grumbullimi i sulmeve që individualisht qëndrojnë nën nivelin e luftës mund të konsiderohet në një moment të caktuar si arsye për aktivizimin e mbrojtjes kolektive.
Përcaktimi më i qartë i këtij kufiri mund t’i dërgonte Moskës një paralajmërim dhe të demonstronte unitetin e NATO-s. Por mes aleatëve nuk ka ende një konsensus.
Zyrtarët paralajmërojnë se një diskutim i tillë duhet të shoqërohet me vullnet të qartë politik për ndërhyrje ushtarake. Në të kundërt, Neni 5 mund të humbiste besueshmërinë.
Qëndrimet e ndryshueshme të presidentit amerikan Donald Trump ndaj NATO-s dhe mbrojtjes kolektive e bëjnë çështjen edhe më të ndjeshme.
“Kemi menduar të kërkojmë aktivizimin e Nenit 5, por nuk duam ta përshkallëzojmë situatën. Kjo mund t’i tregojë Putinit se Trump nuk është i gatshëm të ndihmojë”, deklaroi një diplomat i Europës Lindore.
Mbrojtja e infrastrukturës kritike
Vendet e NATO-s po diskutojnë edhe krijimin e një procedure më të shpejtë dhe të përbashkët për t’ia atribuar zyrtarisht sulmet Kremlinit.
Aleatëve mund t’u kërkohet të bëjnë më transparente shpenzimet për gatishmërinë civile dhe mbrojtjen e spitaleve, sistemeve energjetike, rrjeteve të komunikimit dhe objekteve të tjera strategjike.
Këto shpenzime do të përfshiheshin në angazhimin për të investuar 1.5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto në mbrojtjen civile deri në vitin 2035. Ende nuk është përcaktuar qartë se cilat investime mund të llogariten në këtë objektiv.
Ish-zyrtarja e NATO-s dhe ekspertja e sigurisë Gerlinde Niehus propozoi krijimin e paketave të parapërgatitura me masa që do të aktivizoheshin automatikisht për kategori të caktuara sulmesh.
Sipas saj, Putini përfiton nga proceset e gjata të vendimmarrjes dhe ngadalësia institucionale mes NATO-s dhe Bashkimit Europian. Mungesa e një përgjigjeje të qartë ndaj një sabotimi serioz të lidhur me Rusinë mund të dëmtonte besueshmërinë e Aleancës.
Rutte kundërshtoi idenë se NATO mund të perceptohet si e dobët, por nuk bëri të ditur nëse Aleanca po përgatit alternativa të reja kundërpërgjigjeje.
Edhe BE-ja mbetet e përçarë
Edhe Bashkimi Europian po diskuton masa të tjera, por deri tani nuk ka sinjale për një përgjigje të menjëhershme dhe të koordinuar.
Mbrojtja dhe siguria pritet të jenë ndër temat kryesore të fjalimit vjetor të presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Ajo pritet të ndalet te kërcënimet hibride dhe strategjia e re europiane e sigurisë, e cila do të paraqitet në javët e ardhshme.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, po përgatit gjithashtu sanksione të reja kundër rreth 1 600 subjekteve. Megjithatë, këto masa ishin propozuar përpara incidenteve të fundit.
Parlamenti Europian pritet të miratojë një rezolutë jo detyruese, e cila e cilëson Rusinë si “kërcënimin më të rëndë hibrid” ndaj Bashkimit dhe vendeve anëtare. Një raport tjetër kërkon forcimin e kapaciteteve të agjencive europiane për t’iu përgjigjur aktiviteteve hibride.
Mungesa e unitetit vazhdon të jetë pengesa kryesore. Vendet e BE-së dështuan të hënën të zgjasnin sanksionet ndaj rreth 3 mijë individëve dhe kompanive të lidhura me Rusinë.
Ish-ministri i Jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis kërkoi masa më të forta, përfshirë mbylljen e Detit Baltik për flotën e fshehtë ruse, dyfishimin e kapaciteteve të Ukrainës për prodhimin e dronëve dhe operacione kibernetike ndaj sistemit energjetik rus.
“Fshihemi pas fjalës ‘hibride’, duke shpresuar se do të na mbrojë nga nevoja për kundërveprim. Duhet t’u japim fund masave boshe, sepse ato vetëm e nxisin Putinin të përshkallëzojë situatën”, deklaroi Landsbergis.


