Sula paralajmëron inspektorët: Asnjë kontroll pa paralajmërim dhe jashtë programit

03 Sep 2026 08:48
Shpërndaje:

Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, ka paralajmëruar se nuk do të tolerohet asnjë kontroll ndaj bizneseve që zhvillohet pa paralajmërim ose jashtë programit të përcaktuar të inspektimeve.

Sula ishte pjesë e takimit të zhvilluar nga Kryeministri Edi Rama dhe ministrja Delina Ibrahimaj me Inspektoratin e Përgjithshëm dhe inspektoratet qendrore, ku në fokus ishte rikonceptimi i mënyrës së funksionimit të trupave inspektuese dhe qasjes së tyre ndaj bizneseve.

Sipas tij, përveç zbatimit të kuadrit ligjor, synimi është që procesi i inspektimit të zhvillohet sipas rregullave të qarta, duke garantuar transparencë dhe duke shmangur mundësitë për abuzime.

Reklamë Ola

“Inspektorati i Përgjithshëm nuk do të tolerojë asnjë inspektim që bëhet pa paralajmërim dhe jashtë programit të inspektimit. Nuk do të lejojmë asnjë shkelje ligjore”, deklaroi Sula.

Kreu i Inspektoratit të Përgjithshëm theksoi se kontrollet duhet të zhvillohen në përputhje me procedurat dhe detyrimet e përcaktuara nga ligji, ndërsa çdo devijim nga këto rregulla do të trajtohet si shkelje.

Reklamë InterMedika

Në videomesazhin e tij, Sula iu drejtua edhe qytetarëve dhe bizneseve, duke i ftuar të denoncojnë rastet kur pretendojnë se janë përballur me sjellje abuzive nga inspektorët apo me kontrolle të zhvilluara në mënyrë të parregullt.

Sipas tij, subjektet që konstatojnë raste të tilla mund t’i drejtohen Inspektoratit të Përgjithshëm përmes mekanizmave të ankimit. Më pas, pretendimet do të verifikohen dhe, nëse konstatohen shkelje, do të merren masat përkatëse.

Qëndrimi i Sulës vjen në kuadër të ndryshimeve të paralajmëruara nga qeveria për sistemin e inspektimeve, me synimin që kontrollet ndaj bizneseve të jenë më transparente, të standardizuara dhe të zhvillohen vetëm sipas procedurave ligjore.