×
Sunday, July 12, 2026

Strategjia e re industriale 2026-2030: Synohet rritje deri në 35% e vlerës së shtuar dhe zgjerim i eksporteve

June 8, 2026


Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka hapur konsultimin publik për Strategjinë Kombëtare të Industrisë 2026-2030, një dokument që synon transformimin e sektorit industrial dhe rritjen e rolit të tij në zhvillimin ekonomik të vendit.

Sipas strategjisë, industria përpunuese pritet të jetë një nga motorët kryesorë të rritjes ekonomike gjatë viteve të ardhshme, me objektivin për të rritur vlerën e shtuar industriale me rreth 30-35% deri në vitin 2030. Ky zhvillim do të mbështetet nga zgjerimi i kapaciteteve prodhuese, modernizimi teknologjik dhe rritja e konkurrueshmërisë në tregjet ndërkombëtare.

Një ndër sektorët prioritare mbetet industria përpunuese ushqimore, e cila aktualisht përfaqëson rreth 18% të prodhimit industrial në vend. Strategjia synon që eksportet e produkteve të përpunuara ushqimore të rriten deri në 50% gjatë periudhës 2026-2030, përmes përmirësimit të standardeve dhe integrimit më të madh në tregun e Bashkimi Evropian.

Po ashtu, industria e tekstileve dhe konfeksioneve, një nga sektorët me numrin më të lartë të të punësuarve, parashikohet të kalojë gradualisht nga modeli tradicional i fasonerisë drejt prodhimit me markë dhe dizajn vendas. Në këtë sektor synohet një rritje e vlerës së shtuar me rreth 25-30%.

Strategjia i kushton rëndësi të veçantë edhe industrisë minerare dhe përpunimit të lëndëve të para. Shqipëria synon të rrisë nivelin e përpunimit vendas të mineraleve si kromi, nikeli dhe bakri, me objektivin që eksportet e produkteve të përpunuara të rriten deri në 40%, duke reduktuar varësinë nga eksporti i lëndëve të para.

Një tjetër objektiv është integrimi më i madh i kompanive shqiptare në zinxhirët evropianë të furnizimit. Sipas dokumentit, deri në vitin 2030 synohet të dyfishohet numri i ndërmarrjeve që eksportojnë rregullisht në tregjet e Bashkimit Evropian.

Në qendër të reformës qëndron edhe transformimi teknologjik i industrisë. Strategjia parashikon rritje të investimeve në automatizim, digjitalizim dhe teknologji moderne prodhimi, me qëllim rritjen e produktivitetit dhe uljen e kostove operacionale.

Një komponent i rëndësishëm i planit është zhvillimi i kapitalit njerëzor. Dokumenti parashikon zgjerimin e programeve të formimit profesional dhe përshtatjen e tyre me kërkesat e tregut, për të adresuar mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar në sektorët industrialë.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, qëllimi final i strategjisë është transformimi i industrisë shqiptare nga një model i fokusuar kryesisht në tregun vendas drejt një industrie më konkurruese, të integruar në tregun evropian dhe të orientuar drejt eksporteve me vlerë të shtuar.

Procesi i konsultimit publik do të përfshijë institucionet shtetërore, komunitetin e biznesit, akademinë dhe partnerët ndërkombëtarë, me synimin për të ndërtuar një model industrial të qëndrueshëm dhe afatgjatë për ekonominë shqiptare.




Comments are closed.