Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti këtë të mërkurë, 9 shtator, një delegacion të Bankës Botërore, me të cilin diskutoi mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend, integrimin europian dhe modernizimin e sistemeve të pagesave.
Delegacioni përbëhej nga Massimiliano Paolucci, Përfaqësues i Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Emilia Skrok, Menaxhere për Politikat Fiskale dhe Rritjen Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, vendet e BE-së, Moldavinë dhe Ukrainën, si dhe Angella Montfaucon, Ekonomiste e Lartë për Shqipërinë.
Sejko falënderoi Bankën Botërore për asistencën teknike të ofruar ndër vite për Bankën e Shqipërisë, veçanërisht në fushën e mbikëqyrjes bankare, sistemeve të pagesave dhe edukimit financiar.
Duke prezantuar situatën ekonomike dhe financiare, guvernatori tha se ekonomia shqiptare ka vijuar të shfaqë ecuri pozitive, e mbështetur nga rritja ekonomike dhe përmirësimi i treguesve të punësimit dhe të ardhurave, ndërsa është ruajtur stabiliteti financiar.
Ai nënvizoi se inflacioni vazhdon të jetë pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë, ndërsa zhvillimet e kursit të këmbimit dhe kushtet financiare mbeten faktorë të rëndësishëm për vendimmarrjen e politikës monetare.
Nga ana e tij, Paolucci vlerësoi ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe financiar, si dhe vijimin e politikave të kujdesshme për të mbështetur një rritje të qëndrueshme.
Përfaqësuesit e Bankës Botërore vlerësuan gjithashtu progresin e Shqipërisë në përafrimin e kuadrit ligjor dhe rregullator me standardet e Bashkimit Europian, duke e cilësuar vendin si një shembull pozitiv të progresit në rajon. Sipas tyre, vijimi i reformave është i rëndësishëm për forcimin e institucioneve dhe përshpejtimin e procesit të integrimit europian.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua modernizimit të sistemeve të pagesave. Sejko u ndal te anëtarësimi i Shqipërisë në Tregun Unik të Pagesave në Euro, SEPA, duke theksuar se ai ka sjellë transferta ndërkufitare më të shpejta, më të sigurta dhe me kosto më të ulët për qytetarët dhe bizneset.
Guvernatori dha gjithashtu detaje për projektin TIPS Clone, sistemin shqiptar të pagesave të shpejta që po zhvillohet në bashkëpunim mes Bankës së Shqipërisë, Bankës së Italisë, Bankës Qendrore Europiane dhe sistemit bankar shqiptar.
Sipas Sejkos, projekti ndodhet në fazën intensive dhe përmbyllëse të implementimit, ndërsa synohet që sistemi të bëhet operacional në nëntor 2026.
TIPS Clone do të mundësojë kryerjen e pagesave në kohë reale, 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë. Sistemi synon të rrisë shpejtësinë dhe sigurinë e transaksioneve dhe njëkohësisht të ulë kostot për qytetarët dhe bizneset.
Sejko theksoi se përdorimi më i gjerë i pagesave elektronike pritet të sjellë kursime për sistemin financiar dhe ekonominë shqiptare, si dhe të ndihmojë në formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e përfshirjes financiare.
Paolucci përgëzoi Bankën e Shqipërisë për anëtarësimin e vendit në SEPA dhe progresin në modernizimin e sistemeve të pagesave. Sipas tij, përtej përfitimeve të drejtpërdrejta ekonomike, këto zhvillime ndihmojnë në krijimin e kushteve të nevojshme për përgatitjen e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Europian.
Në përfundim, Banka e Shqipërisë dhe Banka Botërore ranë dakord të vijojnë bashkëpunimin për përmirësimin e kuadrit rregullator dhe institucional të sistemit financiar dhe avancimin e infrastrukturës së pagesave. Paolucci konfirmoi gjithashtu gatishmërinë e Bankës Botërore për të vijuar asistencën teknike ndaj Shqipërisë.


