Produktet dhe shërbimet shqiptare pritet të kenë një kuadër të posaçëm ligjor, ndërsa Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit po finalizon draftin e ligjit “Made in Albania”, i cili synon të mbështesë dhe mbrojë prodhimin vendas, si dhe të krijojë mekanizma për nxitjen e eksporteve.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, tha për Scan TV se puna për hartimin e draftit është në fazat e fundit dhe dokumenti pritet të prezantohet për konsultim publik brenda këtij viti.
“Një angazhim kemi pasur edhe për një ligj të posaçëm për produktet dhe shërbimet ‘Made in Albania’ dhe ne do të dalim shumë shpejt me një draft të parë për këtë ligj brenda këtij viti për ta prezantuar me publikun”, deklaroi Musabelliu.
Sipas tij, gjatë përgatitjes së ligjit janë zhvilluar dëgjesa me grupe të ndryshme interesi, nga prodhuesit e mallrave industriale dhe ofruesit e shërbimeve deri te artizanët, me qëllim evidentimin e nevojave të tyre dhe përcaktimin e formave të mbështetjes nga shteti.
“Jemi në fazat e fundit për ta prezantuar me publikun këtë draft, por do të jetë një ligj i posaçëm i cili do të synojë mbështetjen e prodhimit vendas, mbrojtjen e prodhimit vendas, por njëkohësisht edhe mekanizma të nxitjes së eksportit të prodhimit vendas, qofshin këto mallra apo shërbime”, tha zëvendësministri.
Paralelisht me ligjin “Made in Albania”, po përgatitet edhe një program kombëtar që synon të ndihmojë bizneset shqiptare të përgatiten për operimin në tregun e Bashkimit Europian.
Programi, i cili po hartohet në bashkëpunim me një sërë donatorësh të pranishëm në Shqipëri, pritet të nisë zbatimin në janar të vitit të ardhshëm dhe do të mbështetet në tri shtylla kryesore.
E para lidhet me informimin dhe ndërgjegjësimin e bizneseve shqiptare për rregullat dhe kushtet e operimit në tregun e Bashkimit Europian. Shtylla e dytë do të fokusohet në rritjen e kapaciteteve të sipërmarrjeve, ndërsa e treta synon forcimin e konkurrueshmërisë.
Sipas Musabelliut, kjo e fundit do të përfshijë edhe skema mbështetëse për certifikimin dhe standardizimin e produkteve dhe shërbimeve shqiptare.
Dy nismat synojnë të rrisin aftësinë konkurruese të sipërmarrjeve shqiptare dhe të krijojnë më shumë mundësi për eksportet, ndërsa procesi i integrimit europian kërkon përafrimin gjithnjë e më të madh të produkteve dhe shërbimeve vendase me standardet e tregut të Bashkimit Europian.


