Stërvitje kërkim-shpëtimi pranë Rinasit, Ministria: Nuk ka emergjencë reale

04 Nov 2026 • 15:22
Shpërndaje:

Një aksident ajror i simuluar pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza” do të testojë reagimin e strukturave të emergjencës gjatë stërvitjes së planifikuar “SAR-2026”. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktiviteti zhvillohet sot, nga ora 10:30 deri në 12:00.

Ministria sqaron se qytetarët mund të vërejnë lëvizje të shtuar të automjeteve të emergjencës pranë aeroportit, por bëhet fjalë për një stërvitje dhe nuk ka emergjencë reale.

Aktiviteti organizohet nga Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për reagimin ndaj aksidenteve ajrore. Skenari parashikon daljen e një avioni nga pista dhe përplasjen e tij jashtë rrethimit të aeroportit.

Reklamë Ola

Përmes këtij simulimi do të testohen procedurat e reagimit, koordinimi ndërinstitucional dhe angazhimi i njësive për evakuimin dhe shpëtimin e pasagjerëve dhe ekuipazhit.

Në stërvitje marrin pjesë Forcat e Armatosura, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, Policia e Shtetit, ALBCONTROL dhe Autoriteti Kombëtar i Investigimit për Sigurinë e Operimit në Aviacionin Civil. Të angazhuara do të jenë gjithashtu Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe Kryqi i Kuq Shqiptar.

Reklamë InterMedika

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, stërvitja synon rritjen e gatishmërisë operacionale, përmirësimin e bashkëpunimit mes strukturave dhe forcimin e kapaciteteve kombëtare për përballimin e emergjencave në aviacionin civil.