Hapet Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, mbi 300 kompani deri më 6 nëntor

03 Nov 2026 • 23:41
Shpërndaje:

Panairi Ndërkombëtar i Tiranës hapi më 3 nëntor edicionin e 32-të në Pallatin e Kongreseve, me pjesëmarrjen e mbi 300 kompanive vendase dhe të huaja. Aktiviteti do të vijojë deri më 6 nëntor, me ekspozita të specializuara dhe takime biznesi për zgjerimin e bashkëpunimit tregtar.

Sipas organizatorëve, panairi shtrihet në një sipërfaqe prej 8 mijë metrash katrorë. Rreth 60% e kompanive pjesëmarrëse janë të huaja dhe 40% shqiptare. Në aktivitet përfaqësohen gjithashtu 15 ente shtetërore, dhoma tregtie, shoqata biznesi dhe delegacione ekonomike nga më shumë se 12 vende.

Edicioni organizohet në pesë hapësira kryesore: TIF Power për energjinë, infrastrukturën dhe ndërtimin; TIF Tech për teknologjinë dhe digjitalizimin; TIF Explore për turizmin dhe hotelerinë; TIF Agro për bujqësinë dhe industrinë ushqimore; si dhe “Galeria e Kombeve”, që bashkon pavijonet dhe përfaqësitë ndërkombëtare.

Reklamë Ola

Menaxheri i përgjithshëm i panairit, Luel Muhametaj, tha se synimi i Klik Ekspo Group mbetet krijimi i lidhjeve mes sipërmarrjeve dhe tregjeve, veçanërisht në një periudhë kur pasiguritë gjeopolitike ndikojnë tregtinë dhe investimet.

“Bashkimi i njerëzve rreth interesave të përbashkëta të biznesit ndihmon në ruajtjen e dialogut dhe krijon një bazë konkrete për bashkëpunim”, u shpreh ai.

Reklamë InterMedika

Në ceremoninë e hapjes, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, prezantoi zhvillimet në sektorin energjetik. Sipas tij, gjatë pesë viteve të fundit janë shtuar rreth 650 megavat kapacitete fotovoltaike, të cilat tashmë sigurojnë rreth 11% të energjisë së prodhuar në vend.

Karakaçi njoftoi se kishte nënshkruar fillimin e punimeve për një impiant të energjisë së erës të kompanisë austriake VERBUND, me kapacitet rreth 75 megavat. Ai paralajmëroi gjithashtu një ankand të ri për kapacitete mbi 300 megavat, që pritet të shpallet deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, në bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Sipas ministrit, projektet do të përfshijnë edhe teknologjinë e baterive për ruajtjen e energjisë.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, e cilësoi panairin si një mundësi për të tërhequr investime dhe për të zgjeruar praninë e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

Ai tha se, krahas subvencioneve direkte dhe Garancisë Sovrane, ministria po i kushton më shumë rëndësi bashkëfinancimit të investimeve. Salla bëri të ditur se në bashkëpunim me bashkitë janë krijuar mbi 33 shoqëri të bashkëpunimit bujqësor.

Sipas tij, po punohet edhe për ngritjen e një sistemi sigurimesh në bujqësi, ku shteti do të mbështesë një pjesë të primit. Paralelisht, ka nisur vlerësimi për krijimin e një burse të produkteve bujqësore, me synim rritjen e transparencës së çmimeve dhe lidhjen më të drejtpërdrejtë të prodhuesve me blerësit.

Një pjesë e rëndësishme e panairit është programi i takimeve mes bizneseve. Organizatorët parashikojnë rreth 5 mijë takime B2B gjatë katër ditëve, duke lidhur ekspozues, blerës, importues dhe investitorë sipas profileve dhe interesave të tyre.

Italia përfaqësohet me mbi 70 sipërmarrje nga rajone si Puglia, Lazio, Campania, Veneto dhe Marche. Pjesëmarrja mbështetet nga Agjencia Italiane e Tregtisë, ndërsa Regione Puglia dhe Unioncamere Puglia mbështesin hapësirën kushtuar dizajnit dhe arredimit.

Sekretari i përgjithshëm i Unioncamere Puglia, Luigi Triggiani, veçoi mundësitë për bashkëpunim mes kompanive italiane dhe shqiptare në dizajn, industri, tregti dhe shërbime. Ndërsa Emil Kučković, drejtues i “Poslovne novine” në Bosnjë-Hercegovinë, tha se pjesëmarrja synon zgjerimin e lidhjeve të biznesit përtej kufijve.

Në panair marrin pjesë edhe kompani nga Gjermania dhe Austria, si dhe mbi 50 sipërmarrje nga Ballkani Perëndimor. Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina përfaqësohen me pavijone kombëtare, krahas kompanive nga Kosova.

Programi përfshin edhe Konkursin Kombëtar të Aftësive, ku të rinjtë mund të demonstrojnë përgatitjen profesionale përpara punëdhënësve. Përmes nismës “TIF për komunitetin”, organizatorët synojnë gjithashtu të nxisin praktika të paguara, mundësi punësimi, mbështetje për hapësira studimi dhe ripërdorimin e pajisjeve pas përfundimit të panairit.