Kryeministri Edi Rama deklaroi se raporti vjetor i Komisionit Europian e vlerëson Shqipërinë më lart se asnjëherë më parë, duke e cilësuar atë një hap inkurajues drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në reagimin e tij, Rama e përshkroi raportin si një moment krenarie për Shqipërinë europiane dhe një nxitje për vijimin e punës.
“Një tjetër dëftesë notash domethënëse dhe inkurajuese nga Komisioni Europian. Një tjetër hap përpara drejt objektivit historik të bashkimit me Europën”, u shpreh ai.
Megjithatë, kryeministri theksoi se detyrat mbeten të shumta, ndërsa koha në dispozicion për përmbushjen e kalendarit të negociatave po ngushtohet.
Rama nënvizoi se vlerësimi i Komisionit Europian nuk zvogëlon rëndësinë e problematikave të përditshme të qytetarëve. Sipas tij, ato do të vijojnë të kenë vëmendjen e qeverisë dhe të shumicës parlamentare.
“Përkundrazi, vlerësimi i lartë i raportit të sotëm na motivon për të bërë ende më shumë dhe për t’i bërë gjërat ende më mirë”, deklaroi ai.
Duke e cilësuar momentin si optimal për përparimin e procesit të integrimit, Rama tha se mundësia e anëtarësimit është më reale se kurrë. Ai bëri thirrje që ndasitë dhe përplasjet të mos pengojnë shfrytëzimin e kësaj mundësie.
“Dera e BE është e hapur dhe mundësia e hyrjes është më reale se kurrë. Historia nuk do të na e falte kurrësesi mbytjen në lugën e ujit të pistë të dasive, mllefeve e xhelozive që e kanë penguar vazhdimisht Shqipërinë të ngrihet në lartësinë e potencialit të saj. Kokën lart dhe përpara Shqipëri”, u shpreh Rama.


