Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në votim morën pjesë 91 deputetë dhe të gjithë votuan në favor të projektligjit, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim.
Projektligji u prezantua para deputetëve nga deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ndërsa mbështetje në parim mori nga deputetë të Vetëvendosjes, PDK-së dhe AAK-së.
Miratimi në lexim të parë nuk e përfundon procedurën parlamentare. Projektligji duhet të kalojë në shqyrtim nen për nen në komisionin përgjegjës, ku mund të propozohen amendamente, përpara se të rikthehet në seancë për lexim të dytë dhe votim përfundimtar.
Sipas rregullave parlamentare, në raste të caktuara mund të shkurtohen afatet e zakonshme të shqyrtimit, nëse kjo kërkohet nga deputetët dhe merr mbështetjen e nevojshme në Kuvend.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që projektligji të procedohet me ritëm të përshpejtuar dhe të hidhet në votim edhe në lexim të dytë gjatë së njëjtës ditë.
Nisma për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara vjen pas debatit të fortë politik që është zhvilluar javët e fundit në Kosovë rreth funksionimit të Gjykatës Speciale dhe trajtimit të ish-krerëve të UÇK-së. Më 28 shtator, Kuvendi miratoi gjithashtu një deklaratë që kritikonte vendimet e fundit të Dhomave të Specializuara.


