Spanja jep dritën jeshile për Shqipërinë: Të hapen negociatat



Spanja mbështet zgjerimin e Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor, duke besuar se kjo do të forconte stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Lajmi i mirë është se Spanja i ka dhënë dritën jeshile edhe Shqipërisë, duke kërkuar hapjen e negociatave për vendin tonë.
Ministrja e Jashtme Maria Aranzazu Gonzalez Laya tha: Ne i shikojmë aspiratat e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit si një mënyrë për të stabilizuar atë rajon, duke i dhënë asaj një dimension të ri sigurie dhe perspektive.
“Spanja nuk është vetëm në favor të zgjerimit, por është e angazhuar për të siguruar që të ketë një përshpejtim në fillimin e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të dy vendet që kanë bërë më shumë përparim”, tha ajo.
Në intervistë, dhënë me rastin e një vizite në Madrid, ministrja e jashtme rikonfirmoi në të njëjtën kohë pozicionin e Spanjës kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës.
“Ne jemi qartë në favor të mbrojtjes së integritetit të shteteve. Kjo është arsyeja pse ne nuk e njohim Kosovën, por kemi thënë gjithashtu se shpresojmë në një rezultat pozitiv të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit”, tha Gonzalez Laya.
Së bashku me Spanjën, Greqia, Rumania, Qiproja dhe Sllovakia nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Eunews.al

