Shqipëria drejt anëtarësimit në BE në vitin 2029, Mali i Zi synon vitin 2028

05 Nov 2026 • 17:43
Shpërndaje:

Shqipëria dhe Mali i Zi janë ndër vendet kandidate që kanë shënuar përparim në procesin e integrimit evropian, me synimin për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian përkatësisht në vitet 2029 dhe 2028.

Në vlerësimin e publikuar të mërkurën, Komisioni Evropian ka evidentuar ecurinë e reformave në të dy vendet, duke i konsideruar ndër kandidatët më të avancuar në procesin e zgjerimit të unionit.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet i kushtëzuar nga përmbushja e kritereve në fusha kyçe, përfshirë funksionimin e institucioneve demokratike, shtetin e së drejtës, zhvillimin ekonomik dhe përafrimin e legjislacionit me standardet evropiane.

Reklamë Ola

Përveç Shqipërisë dhe Malit të Zi, Komisioni Evropian ka vlerësuar përparimin e Ukrainës dhe Moldavisë, të cilat gjithashtu po vijojnë reformat në kuadër të procesit të integrimit.

Megjithatë, për këto dy vende nuk është përcaktuar ende një afat i mundshëm anëtarësimi, pasi mbeten reforma të rëndësishme për t’u përmbushur.

Reklamë InterMedika

Ukraina synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, por Komisioni Evropian e ka cilësuar këtë objektiv si ambicioz.

Sipas një zyrtari të lartë evropian, Kievi duhet të përshpejtojë ndjeshëm zbatimin e reformave, veçanërisht në sistemin gjyqësor, institucionet demokratike, administratën publike dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave.

Ndërkohë, procesi i integrimit për vende të tjera kandidate, përfshirë Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën, Turqinë dhe Gjeorgjinë, vijon të përballet me pengesa politike dhe institucionale.

Në rast të anëtarësimit të Malit të Zi dhe Shqipërisë, Bashkimi Evropian do të zgjerohej në 29 shtete anëtare, duke shënuar zgjerimin e parë që prej vitit 2013, kur Kroacia iu bashkua unionit.

Aktualisht, BE numëron 27 vende anëtare pas largimit të Mbretërisë së Bashkuar.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka cilësuar ndërtimin e një Bashkimi Evropian më të madh dhe më të fortë si një ndër përparësitë strategjike të institucionit që drejton.