Samiti i NATO-s në Tiranë, MIA: Vendimi mbetet i pandryshuar

13 Nov 2026 • 15:13
Shpërndaje:

Agjencia për Media dhe Informim (MIA) ka sqaruar se vendimi për organizimin e samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë mbetet në fuqi dhe se deklarata e kryeministrit Edi Rama nuk nënkupton anulimin apo ndryshimin e vendit pritës.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, MIA theksoi se deklarata e një dite më parë e kreut të qeverisë lidhej vetëm me kohën e zhvillimit të samitit.

“Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se samiti i ardhshëm i NATO-s do të zhvillohet në Tiranë. Ky vendim mbetet i pandryshuar. Sa i përket vitit dhe datës së zhvillimit të samitit, ato përcaktohen përmes vendimmarrjes së përbashkët të vendeve aleate në Këshillin e Atlantikut të Veriut”, thuhet në reagim.

Reklamë Ola

Agjencia sqaroi se përcaktimi i datës dhe vitit të organizimit të samitit është kompetencë e Aleancës dhe kërkon vendimmarrjen e përbashkët të vendeve anëtare.

“Deklarata e djeshme e Kryeministrit është një sqarim mbi kohën e zhvillimit të Samitit dhe jo një përgënjeshtrim i vendimit për organizimin e tij në Shqipëri. Tirana si vend pritës është e konfirmuar. Koha e zhvillimit përcaktohet nga vetë Aleanca”, përfundoi MIA.

Reklamë InterMedika

Reagimi vjen pas deklaratave të kryeministrit Rama në Dublin, të cilat ngritën pikëpyetje lidhur me kalendarin e organizimit të samitit.

Sipas sqarimit të MIA-s, Tirana mbetet qyteti i konfirmuar për pritjen e samitit, ndërsa data përfundimtare e zhvillimit të tij do të përcaktohet nga NATO.