Siguria e armëve në SHBA, Kongresi arrin marrëveshje për financimin e kërkimeve
Agjencitë federale do të marrin rreth 25 milion $ nga Kongresi për të studiuar dhunën e shkaktuar nga përdorimi i armëve. Ishte kjo marrëveshja e arritur nga negociatorët e Kongresit dhe Senatit amerikan, e cila i hap dritën jeshile kërkimeve në sigurinë e armëve. Kujtojmë që kërkimet në fushën e dhunës nga përdorimi i armëve u ndalua në 1996 nga e ashtëquajtura Amendamenti i Dickey, legjislacion që mori emrin e autorit Jay Dickey, Republikan nga Arkansasi. Nga momenti i kalimit të këtij amendamenti, ky i fundit u përdor për të ndaluar kërkimet në fushën e sigurisë së armëve. Vetë autori i amendamentit, para se të vdiste në 2017, u shpreh i keqardhur për efektet e këtij parashikimi dhe se nuk kishte pasur asnjëherë qëllim që të ndalte kërkimet në fushën e dhunës nga përdorimi i armëve.
Mbështetësit e këtij projektligji shprehen se institutet kërkuese do të punojnë për të identifikuar mundësitë për një ulje të mundshme të vdekjeve për shkak të përdorimit të armëve. Ekspertët e shëndetit për një kohë të gjatë kanë theksuar në debate publike dhe akademike se dhuna e shkaktuar nga përdorimi i armëve duhet të trajtohet si një krizë e shëndetit publik e cila vret me mijëra amerikanë çdo vit.
Demokratët prej vitesh janë munduar të ndryshojnë amendamentin dhe nga momenti që këta të fundit arritën të marrin maxhorancën në Kongres, e vendosën kërkimin në fushën e dhunës për shka të përdorimit të armëve si përparësi. Opinioni publik në SHBA gjithashtu është shumë i ndjeshëm ndaj kësaj tematike për shkak të masakrave të njëpasnjëshme të shkaktuara nga përdorimi i armëve në hapësirat publike si shkolla, kisha apo bare.
Ky projektligj që Kongresi pritet ta votojë të enjten, duhet të miratohet edhe nga Senati dhe më pas të firmoset nga Presidenti për të mundësuar që institutet të marrin fondet për kërkimin në sigurinë e armëve. Ky projektligj konsiderohet nga analistët si hapi i parë në rrugëtimin ndaj kontrollit të përdorimit të armëve në SHBA.
Eunews.al