Parlamenti Europian dënon dhunën gjatë protestave në Tiranë

19 Oct 2026 • 12:24
Shpërndaje:

Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për marrëdhëniet me Shqipërinë, Marco Tarquinio, dhe raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder, kanë dënuar përshkallëzimin e dhunës gjatë protestave në Tiranë, ndërsa kanë shprehur shqetësim serioz për raportimet mbi përdorimin e tepruar të forcës nga policia.

Në një deklaratë të përbashkët, ata u bëjnë thirrje protestuesve dhe autoriteteve të tregojnë vetëpërmbajtje, duke kërkuar përcaktimin e përgjegjësive individuale për çdo akt dhune.

“Dënojmë përshkallëzimin e dhunshëm të këtyre protestave, sulmet ndaj institucioneve publike dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private”, thuhet në deklaratë.

Reklamë Ola

Dy eurodeputetët theksojnë se aktet e dhunës nuk ndihmojnë në gjetjen e një zgjidhjeje dhe nuk kanë vend në demokraci. Njëkohësisht, ata kërkojnë që organet përkatëse të shqyrtojnë edhe rastet e përdorimit të tepruar të forcës.

“U bëjmë thirrje organeve përkatëse të bëjnë gjithçka që është e mundur për të përcaktuar përgjegjësinë individuale për çdo akt dhune, përfshirë rastet e përdorimit të tepruar të forcës”, theksohet në deklaratë.

Reklamë InterMedika

Tarquinio dhe Schieder nënvizojnë se liria e tubimit paqësor dhe liria e shprehjes mbrohen nga Karta e të Drejtave Themelore të BE-së dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas tyre, të rinjtë kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet për çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e tyre, ndërsa autoritetet duhet të garantojnë ushtrimin e kësaj të drejte.

Ata kërkojnë një dialog paqësor, konstruktiv dhe serioz mes palëve, me synimin për t’u dhënë përgjigje konkrete pakënaqësive të protestuesve, në përputhje me ligjet shqiptare dhe standardet europiane.

Në përfundim, dy përfaqësuesit e Parlamentit Europian theksojnë se respektimi i shtetit të së drejtës mbetet kriter themelor dhe kusht i detyrueshëm për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.