Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiç për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke shprehur shqetësim të thellë dhe duke theksuar se çdo ndërhyrje në një sistem ujor ndërkufitar duhet të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe të realizohet në konsultim me palët e prekura.
Përmes një deklarate publike, ministri Ferit Hoxha theksoi se ndryshimi i rrjedhës së një lumi që prek më shumë se një shtet nuk mund të konsiderohet një çështje e brendshme apo një vendim që merret në mënyrë të njëanshme.
“Ndryshimi i rrjedhës së një lumi që përbën pjesë të një sistemi ujor ndërkufitar nuk është një çështje thjesht e brendshme apo një vendim që mund të merret në mënyrë të njëanshme, veçanërisht kur pasojat e tij prekin drejtpërdrejt territorin, mjedisin, sigurinë ujore, furnizimin me ujë dhe jetën e qytetarëve të një vendi tjetër”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme.
Sipas Hoxhës, e drejta ndërkombëtare përcakton qartë se shtetet duhet të respektojnë parimet e përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, të parandalojnë dëmet që mund t’u shkaktohen vendeve fqinje dhe të zhvillojnë konsultime e shkëmbim informacioni për çdo projekt që mund të ketë ndikim përtej kufijve.
Ministri kujtoi se Serbia është palë në Konventën e UNECE-së për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Ujërave Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare që prej vitit 2010 dhe, si e tillë, ka detyrimin të respektojë mekanizmat ndërkombëtarë për menaxhimin e burimeve ujore dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Në deklaratë, Shqipëria kërkon që çdo projekt që mund të ndikojë në rrjedhën, sasinë apo cilësinë e ujërave që prekin Kosovën të zhvillohet me transparencë të plotë, mbi bazën e studimeve shkencore, me vlerësim të ndikimit ndërkufitar dhe në konsultim me autoritetet e prekura.
“Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër”, theksoi ministri Hoxha.
Shqipëria ritheksoi gjithashtu mbështetjen për të drejtën e Kosovës për të mbrojtur burimet e saj ujore dhe për të garantuar sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Reagimi i Tiranës erdhi pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke bërë të ditur se janë angazhuar ekspertë të sektorit të ndërtimit dhe inxhinierisë për të analizuar projektin.
Sipas Vuçiçit, ideja ekziston që prej vitit 1985 dhe lidhet me nevojat e banorëve pranë liqenit, ndërsa ai pretendoi se një ndërhyrje e tillë mund të ndikojë edhe në uljen e nivelit të ujit në liqenin e Ujmanit, një burim strategjik për furnizimin me ujë të Kosovës.
“Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Kemi arsye për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit dhe më pas do të shohim se si do të reagojnë shqiptarët. Ne jemi një shtet sovran dhe do të veprojmë në përputhje me interesat tona”, deklaroi Vuçiç.
Ai shtoi se Serbia po ndjek nga afër edhe zhvillimet lidhur me prishjen e ndërtimeve pa leje pranë liqenit të Ujmanit dhe theksoi se, megjithëse Beogradi ka interesat e tij në këtë çështje, aktualisht nuk e konsideron si opsion një përballje ushtarake me NATO-n.
Në përfundim të reagimit të saj, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme theksoi se çështje të tilla duhet të trajtohen përmes dialogut, bashkëpunimit dhe respektimit të standardeve evropiane, duke shmangur kërcënimet dhe veprimet e njëanshme që mund të cenojnë stabilitetin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon.


