Kryeministri Edi Rama ka nisur sot vizitën në Miçigan, ku do të zhvillojë takime me komunitetin shqiptar dhe drejtues të bizneseve të mëdha shqiptaro-amerikane, të interesuar për të investuar në Shqipëri.
Ndalesa e parë e kreut të qeverisë ishte në kompaninë “Universal Transport”, një sipërmarrje e suksesshme e themeluar nga një shqiptaro-amerikan, e cila operon në transportin e pjesëve për industrinë automobilistike nga Miçigani drejt shteteve të tjera të SHBA-së.
Rama vizitoi qendrën e operimit të kompanisë pranë aeroportit të Detroitit, e cila është zgjeruar së fundmi përmes investimeve të reja. Gjatë vizitës, ai u njoh me veprimtarinë dhe planet e zhvillimit të sipërmarrjes.
Presidenti i “Universal Transport”, Adriatik Sheko, e falënderoi kryeministrin për vizitën dhe vlerësoi mundësitë që po u krijohen përfaqësuesve të diasporës që dëshirojnë të investojnë në Shqipëri.
Sipas tij, interesi i sipërmarrësve shqiptaro-amerikanë përfshin fusha të rëndësishme si energjia, turizmi dhe agroturizmi. Sheko veçoi edhe mundësitë që ofron “Paketa e Maleve” për zhvillimin e investimeve në zonat malore të vendit.
Kryeministri zhvilloi gjithashtu një bashkëbisedim me punonjës të kompanisë dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Miçigan, të cilët ishin të pranishëm në aktivitet.
Në vijim të agjendës, Rama pritet të zhvillojë në orën 18:00, sipas kohës lokale, një takim të zgjeruar me shqiptarët e Miçiganit. Aktiviteti mbahet nën moton “Me shqiptarët, për shqiptarët” dhe është pjesë e vizitës së kryeministrit në Shtetet e Bashkuara, në kuadër të javës së Kombeve të Bashkuara.


