Shqipëria kryeson renditjen e shtatë vendeve të rajonit për numrin e pasagjerëve të aeroporteve në raport me popullsinë, duke lënë pas Kroacinë, Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Data4X, Shqipëria regjistron 4.185 pasagjerë aeroportesh për çdo 1.000 banorë, treguesi më i lartë mes vendeve të përfshira në krahasim.
Në vendin e dytë renditet Kroacia, me 3.581 pasagjerë për 1.000 banorë. Diferenca mes dy vendeve arrin në 604 pasagjerë, ose rreth 17% më shumë në favor të Shqipërisë.
Kosova mban vendin e tretë, me 2.907 pasagjerë për çdo 1.000 banorë, e ndjekur nga Mali i Zi me 2.686.
Më poshtë në renditje janë Maqedonia e Veriut, me 1.963 pasagjerë, dhe Serbia, me 1.389 pasagjerë për 1.000 banorë.
Listën e mbyll Bosnja dhe Hercegovina, e cila regjistron 1.032 pasagjerë për çdo 1.000 banorë.
Të dhënat tregojnë se Shqipëria ka një tregues rreth tri herë më të lartë se Serbia dhe mbi katër herë më të lartë se Bosnja dhe Hercegovina.
Megjithatë, ky tregues nuk pasqyron numrin e qytetarëve shqiptarë që udhëtojnë me avion apo shpeshtësinë mesatare të fluturimeve të tyre.
Ai llogaritet duke krahasuar trafikun e përgjithshëm të pasagjerëve në aeroporte me popullsinë e vendit. Në shifra përfshihen edhe turistët dhe udhëtarët e huaj, ndërsa i njëjti person mund të regjistrohet disa herë gjatë udhëtimeve të ndryshme.
Për këtë arsye, renditja pasqyron intensitetin e trafikut aeroportual në raport me numrin e banorëve dhe jo përdorimin individual të transportit ajror nga qytetarët.


