Begaj në “Odën Dibrane”: Një kulturë që nuk e ndajnë kufijtë

11 Oct 2026 • 16:13
Shpërndaje:

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka marrë pjesë në ceremoninë përmbyllëse të edicionit të 32-të të festivalit “Oda Dibrane”, të zhvilluar në Peshkopi, ku theksoi rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.

Në fjalën e tij, kreu i shtetit e cilësoi festivalin si një simbol të bashkimit të shqiptarëve, pavarësisht kufijve shtetërorë, duke vlerësuar rolin e kulturës në ruajtjen e identitetit kombëtar.

“Dy qytete, dy shtete, një Dibër. Një kulturë që nuk e ndajnë dot kufijtë. Kjo është një nga arritjet më domethënëse të ‘Odës Dibrane’”, deklaroi Begaj.

Reklamë Ola

Presidenti theksoi se festivali bashkon shqiptarët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, si dhe komunitetet arbëreshe dhe diasporën.

Duke iu referuar simbolikës së odës në traditën shqiptare, Begaj u shpreh se ajo ka qenë ndër shekuj një hapësirë ku janë ruajtur dhe përcjellë mençuria popullore, këngët, zakonet, besa dhe mikpritja.

Reklamë InterMedika

Ai e cilësoi festivalin si “një odë të madhe shqiptare”, duke nënvizuar se trashëgimia kulturore duhet të mbetet pjesë aktive e jetës së përditshme dhe jo vetëm e aktiviteteve festive.

“Trashëgimia kulturore nuk është vetëm kujtim i së shkuarës dhe folklori nuk mund të jetë një muze që hapet disa herë në vit, vetëm për festa”, tha presidenti.

Sipas tij, ruajtja e traditave kërkon përfshirjen e brezave të rinj, në mënyrë që këngët, vallet, gjuha dhe zakonet të mos humbasin me kalimin e kohës.

“Një traditë jeton vetëm kur këndohet, kërcehet, rrëfehet, mësohet dhe përcillet. Një këngë që nuk këndohet më, humbet. Një valle që nuk mësohet më, humbet”, u shpreh Begaj.

Kreu i shtetit vlerësoi gjithashtu kontributin e diasporës në ruajtjen e lidhjeve me vendlindjen dhe falënderoi organizatorët, artistët, studiuesit dhe institucionet që kanë mbështetur festivalin përgjatë 32 edicioneve.

“Uroj që ‘Oda Dibrane’ të vazhdojë gjatë, të jetë oda e Dibrës dhe një odë e madhe e kulturës shqiptare, një vend ku dera mbetet e hapur dhe tradita pjesë e së ardhmes”, përfundoi ai.

Gjatë vizitës në Dibër, presidenti Begaj u prit edhe nga kryetari i bashkisë, Rahim Spahiu, me të cilin diskutoi mbi projektet e zhvillimit lokal, sfidat e zonës, promovimin e trashëgimisë kulturore dhe potencialin turistik.