Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit serb Ivica Daçiç, i cili gjatë fushatës elektorale u shpreh se flamuri i Serbisë do të ngrihet sërish në Kosovë.
Në reagimin e tij, Hoxha e cilësoi këtë retorikë si të rrezikshme për stabilitetin rajonal, duke paralajmëruar se deklarata të tilla mund të nxisin veprime konkrete dhe të cenojnë paqen në Ballkanin Perëndimor.
“Një gjuhë e tillë nxitëse mund të konsiderohej thjesht retorikë politike nëse nuk do të ekzistonte rreziku real që ajo t’u jepte zemër atyre që janë të gatshëm të veprojnë në këtë frymë”, u shpreh ministri shqiptar.
Hoxha iu referua edhe sulmit të armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023, duke theksuar se ngjarja mbetet një paralajmërim për pasojat që mund të sjellë përshkallëzimi i retorikës nacionaliste.
“Ngjarja e Banjskës, për të cilën ende nuk është vendosur përgjegjësia e plotë, mbetet një kujtesë e fortë e asaj që mund të ndodhë kur fjalët kthehen në veprime”, deklaroi ai.
Kreu i diplomacisë shqiptare theksoi se Shqipëria mbetet e angazhuar për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, bashkëpunim rajonal dhe pajtim mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë, sipas tij, një bashkëpunim i qëndrueshëm nuk mund të ndërtohet mbi mohimin e realiteteve politike dhe përdorimin e kërcënimeve për përfitime elektorale.
“Nuk mund të ketë bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal për sa kohë mohohen realitetet, vihet në pikëpyetje legjitimiteti i fqinjëve apo përdoret retorika kërcënuese për përfitime politike”, theksoi Hoxha.
Ministri nënvizoi se Europa është ndërtuar mbi dialogun, respektin e ndërsjellë dhe solidaritetin, ndërsa vendet e Ballkanit duhet të nxjerrin mësime nga konfliktet e së kaluarës.
Në përfundim, Hoxha përcolli një mesazh të qartë për statusin e Kosovës dhe të ardhmen e saj europiane.
“Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm. Ajo është një shtet sovran dhe demokratik, pjesë e barabartë e rajonit tonë”, deklaroi ai.
Sipas ministrit, e ardhmja e Kosovës duhet të mbështetet te paqja, siguria, gjithëpërfshirja dhe integrimi europian, në interes të të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë etnike.


