SHBA shqyrton përdorimin e raketave hipersonike “Dark Eagle” në skenarin e ri ushtarak ndaj Iranit
Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton për herë të parë përdorimin e raketave hipersonike “Dark Eagle”, në kuadër të opsioneve të reja ushtarake ndaj Iranit, në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme.
Sistemi “Dark Eagle”, i njohur si Arma Hipersonike me Rreze të Gjatë (LRHW), mund të udhëtojë me mbi pesë herë shpejtësinë e zërit dhe të godasë objektiva deri në rreth 2,000 milje larg, duke i dhënë SHBA-së kapacitet për të synuar infrastrukturën ushtarake iraniane në distanca të mëdha.
Sipas raportimeve, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka kërkuar shqyrtimin e këtij sistemi, megjithëse ai ende nuk është plotësisht operacional për shkak të sfidave teknike dhe vonesave në testime.
Burime të cituara nga mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se në tryezë janë disa skenarë operacionalë, që variojnë nga sulme të kufizuara deri te operacione më të gjera, përfshirë edhe veprime për të dobësuar kontrollin iranian mbi Ngushticën e Hormuzit.
Pentagoni paralelisht po harton plane të reja ushtarake, ndërsa shqetësimet për përshkallëzim mbeten të larta. Ekspertët paralajmërojnë se një raund i ri përplasjesh mund të jetë më i ashpër dhe me pasoja më të gjera rajonale.
Nga ana e tij, Irani ka paralajmëruar përgjigje të fortë në rast sulmesh të reja, ndërsa tensionet po ndikojnë drejtpërdrejt edhe në tregjet globale të energjisë, për shkak të rolit strategjik të Ngushticës së Hormuzit.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka paralajmëruar se përshkallëzimi i konfliktit mund të sjellë pasoja të rënda globale, përfshirë rritje të inflacionit dhe varfërisë.







