SHBA fton Putinin në samitin e G20 në Majami, Rubio: Mundësi për takim me Trump

24 Sep 2026 • 11:24
Shpërndaje:

Shtetet e Bashkuara kanë ftuar zyrtarisht presidentin rus Vladimir Putin të marrë pjesë në samitin e G20 që do të zhvillohet në Majami në dhjetor, ndërsa Uashingtoni vijon përpjekjet diplomatike për uljen e luftimeve në Ukrainë.

Lajmi u konfirmua nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pas takimit me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

“E kemi ftuar presidentin Putin në G20. Mendojmë se kjo është një mundësi që ai të angazhohet jo vetëm me presidentin, por edhe me liderë të tjerë botërorë”, deklaroi Rubio, duke shtuar se Uashingtoni shpreson që lideri rus ta pranojë ftesën.

Reklamë Ola

Ftesa përbën konfirmimin e parë publik se administrata Trump ka ftuar Putinin në samitin e liderëve të G20. Rusia vazhdon të jetë anëtare e grupit, por Putin nuk ka marrë pjesë fizikisht në një samit të G20 që prej vitit 2019.

Rubio tha se samiti mund të krijojë mundësi edhe për një takim mes Donald Trump dhe Vladimir Putin, por theksoi se deri tani nuk ka asnjë marrëveshje konkrete për një takim dypalësh.

Reklamë InterMedika

Sipas tij, gatishmëria e Trump për të komunikuar me liderët me të cilët SHBA ka mosmarrëveshje qëndron pas vendimit për ftesën.

“Për të zgjidhur problemet, duhet të takohesh me njerëzit me të cilët nuk pajtohesh”, tha Rubio.

Megjithatë, Sekretari amerikan i Shtetit paralajmëroi se ftesa nuk duhet interpretuar si sinjal se një marrëveshje më e gjerë mes Uashingtonit dhe Moskës është pranë.

Paralelisht, administrata amerikane po diskuton me Rusinë dhe Ukrainën mundësinë e një armëpushimi të kufizuar për sulmet ndaj infrastrukturës energjetike. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Kievi është i gatshëm të ndalojë sulmet ndaj objekteve energjetike ruse nëse Moska vepron në mënyrë reciproke.

Rubio pranoi se arritja e një marrëveshjeje të tillë është e vështirë, pasi objektivat e dy palëve ndryshojnë. Ukraina godet kryesisht rafineritë dhe infrastrukturën ruse të naftës dhe gazit, ndërsa sulmet ruse kanë shënjestruar edhe rrjetin elektrik dhe infrastrukturën energjetike ukrainase.

Takimi Rubio-Lavrov në Nju Jork nuk solli ndonjë përparim të njoftuar publikisht. Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, diskutimet përfshinë luftën në Ukrainë dhe marrëdhëniet SHBA-Rusi.

Rubio paralajmëroi gjithashtu për rrezikun që konflikti të përhapet përtej Ukrainës, përmes incidenteve ushtarake, sabotimeve apo sulmeve hibride, duke thënë se Uashingtoni i ka diskutuar këto shqetësime edhe me qeveritë europiane.