Iris Luarasi ka reaguar pas përplasjes mes ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, dhe gazetares investigative Klodiana Lala, duke e cilësuar deklaratën e Hysenit si të papranueshme dhe duke kërkuar reagimin e institucioneve.
Në një postim në rrjetet sociale, Luarasi thekson se gazetarja po ushtronte detyrën e saj dhe po bënte një pyetje me interes publik, kur përballë saj u ngritën pretendime personale.
“Deklarata e ish-drejtueses së SHISH-it ndaj Klodiana Lalës në hyrje të GJKKO-së është e papranueshme. Një gazetare po bënte një pyetje me interes publik. Në vend të përgjigjes mori insinuata që dëmtojnë reputacionin, integritetin profesional dhe sigurinë e saj personale”, shkruan Luarasi.
Ajo i bën thirrje SPAK-ut që ta trajtojë çështjen me seriozitet dhe të marrë në konsideratë kallëzimin që gazetarja ka paralajmëruar se do të bëjë.
“Si zëvendëskryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Median, i bëj thirrje SPAK-ut që ta trajtojë me seriozitet dhe me përparësi kallëzimin e gazetares. I bëj thirrje gjithashtu institucioneve përgjegjëse që të garantojnë mbrojtjen e saj”, shprehet Luarasi.
Sipas saj, pyetjet e gazetarëve nuk duhet të shndërrohen në arsye për kërcënime apo intimidim.
“Pyetjet e gazetarëve duhet të marrin përgjigje, jo kërcënime. Mbrojtja e gazetarëve është detyrimi i shtetit dhe kusht për demokracinë. Gazetarët që bëjnë pyetje nuk janë armiq”, përfundon ajo.
Reagimi vjen pas episodit të një dite më parë në hyrje të GJKKO-së. E pyetur nga Klodiana Lala për çështjen e materialeve të klasifikuara dhe biznesmenin Ergys Agasi, Hyseni iu përgjigj duke aluduar për takime të gazetares me persona që ajo i cilësoi si “agjentë serbë”.
Lala i ka hedhur poshtë pretendimet, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe si përpjekje për shantazh për shkak të detyrës. Gazetarja ka deklaruar se do t’i drejtohet drejtësisë me kallëzim penal ndaj ish-drejtoreshës së SHISH.


