Albanese nga OKB: Bota duhet të veprojë për Palestinën dhe Iranin, paralajmëron edhe për rreziqet e AI

25 Sep 2026 • 11:41
Shpërndaje:

Kryeministri australian Anthony Albanese i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për veprime më të vendosura për konfliktet në Lindjen e Mesme, ndërsa paralajmëroi se bota duhet të përgatitet edhe për rreziqet që sjell zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale.

Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Albanese u ndal fillimisht te konflikti izraelito-palestinez, duke përsëritur mbështetjen e Australisë për një zgjidhje me dy shtete.

Ai tha se Canberra do të vazhdojë të kundërshtojë zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, por theksoi gjithashtu se Hamasi nuk duhet të ketë asnjë rol në të ardhmen politike të Palestinës.

Reklamë Ola

Kryeministri australian u ndal më pas te konflikti me Iranin, duke kërkuar një armëpushim dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Sipas tij, liria e lundrimit dhe e tregtisë duhet të garantohet, ndërsa Irani duhet të ndalojë sulmet në rajon.

Reklamë InterMedika

Albanese kërkoi gjithashtu që Teherani të heqë dorë nga çdo përpjekje për të siguruar armë bërthamore, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit dhe sigurisë rajonale.

Por konfliktet nuk ishin shqetësimi i vetëm i ngritur nga kryeministri australian. Një pjesë të rëndësishme të fjalimit ai ia kushtoi inteligjencës artificiale dhe ndikimit që teknologjia pritet të ketë në shoqëri dhe ekonomi.

Albanese tha se AI mund të sjellë përfitime të mëdha, nga përmirësimi i shërbimeve shëndetësore deri te rritja e produktivitetit, por paralajmëroi se zhvillimi i saj duhet të shoqërohet me masa të forta sigurie dhe mbikëqyrje.

“Qeveritë duhet të formësojnë zhvillimin e inteligjencës artificiale, në vend që të formohen në mënyrë pasive prej saj”, deklaroi ai.

Sipas kryeministrit australian, sfidat që lidhen me AI-në nuk mund të trajtohen vetëm në nivel kombëtar, por kërkojnë bashkëpunim ndërkombëtar dhe rregulla që ecin me ritmin e zhvillimit teknologjik.