SHBA: Dialogu Strategjik me Kosovën nis vetëm pasi të përmbushen zotimet ndaj serbëve
July 17, 2026
Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se janë të gatshme të rinisin Dialogun Strategjik me Kosovën vetëm pasi të krijohen kushtet e nevojshme, duke theksuar se ndër to është edhe përmbushja e zotimeve të Prishtinës ndaj komunitetit serb.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit rikujtoi se Dialogu Strategjik me Kosovën është pezulluar që nga shtatori i vitit 2025, për shkak të shqetësimeve mbi veprimet e Qeverisë në detyrë.
“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Presim me padurim të zhvillojmë një Dialog Strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga Kosova të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”, thuhet në reagimin e DASH.
Megjithatë, Departamenti i Shtetit nuk dha një afat konkret për rifillimin e dialogut dhe nuk specifikoi se cilët hapa të tjerë pret nga autoritetet kosovare.
Deklarata vjen në të njëjtën ditë kur Uashingtoni nisi rundin e parë të Dialogut Strategjik me Serbinë, një mekanizëm që synon zgjerimin e bashkëpunimit në fushat e sigurisë, ekonomisë dhe politikës së jashtme.
“Nëpërmjet këtij dialogu, SHBA-ja dhe Serbia do të punojnë për arritjen e objektivave të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, zgjerimin e lidhjeve në fushën e biznesit dhe arsimit, si dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Dialogu Strategjik me Kosovën u pezullua më 12 shtator 2025. Në atë kohë, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë njoftoi se vendimi ishte marrë për shkak të shqetësimeve se veprimet e Qeverisë në detyrë kishin rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë në vend, duke kufizuar mundësinë e bashkëpunimit me Uashingtonin për prioritetet e përbashkëta.
Pezullimi erdhi pas ndërhyrjeve të autoriteteve të Kosovës ndaj institucioneve serbe që funksiononin në territorin e vendit, si edhe pas kritikave publike të qeverisë ndaj Gjykatës Kushtetuese lidhur me një vendim për mandatin e deputetëve. Ndërsa SHBA i cilësoi këto zhvillime si faktorë që rritën tensionet, autoritetet në Prishtinë këmbëngulën se veprimet e tyre ishin në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Prej vitesh, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kërkojnë Kosovës të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, veçanërisht themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe garantimin e një niveli të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, në përputhje me Marrëveshjen Bazë të vitit 2023 dhe Aneksin e Ohrit.
Gjithashtu, Perëndimi kërkon zgjidhjen e çështjeve që lidhen me Kishën Ortodokse Serbe, mbrojtjen e lirive fetare dhe shmangien e veprimeve të njëanshme në veri të Kosovës.
Nga ana e saj, Kosova argumenton se zbatimi i marrëveshjeve duhet të jetë reciprok dhe se masat e ndërmarra në veri, përfshirë heqjen e dinarit serb dhe mbylljen e institucioneve paralele serbe, kanë pasur si synim forcimin e sundimit të ligjit.
Prishtina kërkon gjithashtu që Serbia të nënshkruajë Marrëveshjen Bazë dhe të ekstradojë ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë në shtator 2023. Radoiçiq ndodhet nën sanksionet e SHBA-së dhe përballet me akuza për terrorizëm dhe vepra të tjera penale nga autoritetet e Kosovës.