Sejko: Rruga e Shqipërisë drejt BE-së, shtyllë qendrore e reformave

11 Jun 2025 • 12:51
Shpërndaje:

Në kuadër të 100-vjetorit të krijimit të bankës qendrore shqiptare u zhvillua sot Konferenca V-të e Muzeut të Bankës së Shqipërisë, me temë “Bankat qendrore dhe historia ekonomike: Reflektime dhe perspektiva”.

Në këtë konferencë marrin pjesë studiues vendas dhe të huaj, si dhe ekspertë nga bankat qendrore të rajonit, për të diskutuar mbi rolin e bankave qendrore dhe historinë ekonomike në shek. XIX-XXI.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko hapi punimet e kësaj konference duke falënderuar kontributet e njerëzve, ekonomistëve, nëpunësve civilë, studiuesve dhe madje edhe artistëve, ekspertiza dhe përkushtimi i të cilëve kanë formësuar identitetin e Bankës.

Reklamë Ola

“I jemi mirënjohës punës së tyre të shkëlqyer në ngritjen e institucionit. Po aq mirënjohës i jemi edhe studiuesve që kanë punuar për dokumentimin e këtij rrugëtimi, si për shembull: ekonomistit të shquar Haxhi Shkoza; shkrimtarit të nderuar, akademikut dhe ish-drejtorit të Bankës Dhimitër Pasko; Profesor Aristotel Panos, i cili ka bashkë-kuruar me ne seksionet e shekujve XX dhe XXI të muzeut të Bankës dhe ka hartuar historinë zyrtare të Bankës së Shqipërisë për këtë 100-vjetor; Profesor Iljaz Fishtës dhe Profesor Kristo Frashërit, së bashku me shumë të tjerë që kanë kontribuuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për shkrimin e historisë së bankingut shqiptar”, u shpreh Sejko.

Më tej, Guvernatori Sejko theksoi se duke bërë bashkë historianë, muzeologë, studiues dhe ekonomistë në këtë konferencë shkëmbejmë këndvështrime të reja mbi mënyrën si evoluojnë institucionet monetare, si vendimmarrja monetare formëzon rezultatet, dhe si fitohet e ruhet besueshmëria. Kjo konferencë nuk studion vetëm të kaluarën, ajo synon të parashtrojë edhe pyetjet e duhura për të ardhmen.

Reklamë InterMedika

Në vijim, Sejko nënvizoi se rruga e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian ka qenë një shtyllë qendrore e reformave institucionale dhe ekonomike. Banka e Shqipërisë luan një rol tepër të rëndësishëm në këtë proces, duke përafruar politikat dhe praktikat e saj me standardet evropiane me synim forcimin e qëndrueshmërisë, transparencës dhe reziliencës së nevojshme për anëtarësim.

Guvernatori u shpreh se me vështrimin drejt së ardhmes, përkushtimi ynë mbetet i palëkundur: të forcojmë gatishmërinë institucionale, të thellojmë bashkëpunimin rajonal dhe të sigurojmë që sistemi financiar i Shqipërisë të jetë i përgatitur për të përballuar sfidat dhe për të përfituar nga mundësitë e një të ardhmeje të integruar evropiane.

“Këto sfida apo mundësi të reja, si monedhat digjitale, rreziqet klimatike, inteligjenca artificiale dhe inovacioni financiar, po transformojnë peizazhin financiar global. Shqipëria nuk bën përjashtim. Dekadat e ardhshme do të kërkojnë shkathtësi, largpamësi dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë. Duhet të vazhdojmë të forcojmë kapacitetin tonë institucional, jo vetëm për të përmbushur mandatin tonë kryesor, por edhe për të mbështetur stabilitetin dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë” tha Guvernatori Sejko.

Punimet e konferencës u përqendruan në tema të tilla si: origjina e sistemeve bankare në Ballkan, ndikimi i ngjarjeve historike dhe institucioneve ndërkombëtare financiare, në evolucionin e politikave monetare e të bankave qendrore në Shqipëri dhe rajon.