×
Sunday, January 24, 2021

Rusia armatos Serbinë/ Vuçiç e falënderon për dhurimin e tankeve

November 28, 2020

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë të shtunën në kazermën “Mija Stanimiroviq” në Nish se është mirënjohës ndaj Rusisë dhe presidentit të saj, Vladimir Putin për dhurimin e tankeve dhe automjeteve të blindura.

Në këtë qytet janë prezantuar 11 tanke të llojit T-72MS dhe 10 automjete të blinduara BRDM-2.

Vuçiq ka theksuar se qëllimi i këtij donacioni është që Serbia të forcojë edhe më tej ushtrinë dhe, siç ka thënë ai, pozicionin e neutralitetit ushtarak, në mënyrë që të mund të parandalojë çdo agresor të mundshëm.

Këto pajisje është thënë se janë pjesë e donacionit rus, i cili përbëhet nga gjashtë aeroplanë luftarakë MiG-29, 30 makina zbulimi të blinduara BRDM-2 dhe 30 tanke T-72, bazuar në marrëveshjen midis presidentit serb Vuçiq dhe ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu më 2016.

Përveç Vuçiqit, prezantimi i tankeve është ndjekur nga zëvendëskryeministri i Qeverisë së Serbisë, njëherësh ministri i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Gjenerali Millan Mojsilloviq dhe ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharchenko.

“Ky nuk është fundi i bashkëpunimit tonë, por vetëm fillimi i një faze të re. Rusia do të vazhdojë të dorëzojë automjete të blinduara dhe lloje të tjera armësh në mënyrë që Serbia të forcojë sovranitetin e saj,” ka thënë ambasadori rus Bocan-Kharcenko.

Në fillim të muajit nëntor, ministri serb i Mbrojtjes Nebojsha Stefanoviq, pati konfirmuar se tanket T-72 do të mbërrinin nga Rusia në Serbi, duke deklaruar se të njëjtat do të forcojnë pajisjet luftarake të ushtrisë serbe.

“Tridhjetë tanke moderne T-72 duhet të mbërrijnë, si pjesë e marrëveshjes ‘Vuçiq-Putin’ në Soçi. Ato forcojnë ndjeshëm aftësitë tona luftarake,” pati deklaruar ai për Pink TV më 1 nëntor.

Në vitin 2019, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka hedhur poshtë kërkesën e (REL) për të paraqitur kopjet e marrëveshjes së arritur.

Si arsye, Ministria e Mbrojtjes pati deklaruar atëherë se marrëveshjet e kërkuara “përmbajnë të dhëna sekrete të huaja, pra të dhëna që i janë besuar Republikës së Serbisë nga një shtet tjetër, me detyrimin për t’i mbajtur ato sekrete”.

Ende nuk dihet se kush do të pagujë shpenzimet e transportit të armëve dhe pajisjeve ushtarake që Rusia i ka dhuruar Serbisë apo se sa është paguar transporti.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për