Në vitin 1995, Adriatik Sheko u nis nga Kolonja drejt Shteteve të Bashkuara me një valixhe të vjetër, pak para dhe shumë ëndrra. Si mijëra emigrantë shqiptarë të asaj kohe, ai u përball me vështirësitë e një jete të re në një vend të panjohur, por nuk u dorëzua.
Pas vitesh pune të palodhur, sakrificash dhe këmbënguljeje, Sheko arriti të ndërtojë biznesin e tij në sektorin e transportit. Nga një kamion i vetëm, ai ngriti kompaninë “Universal Transport”, e cila sot operon me rreth 250 kamionë dhe 50 trailerë, duke ofruar shërbime për gjigantët e industrisë automobilistike si Ford, General Motors dhe BMW.
Suksesi i tij është rezultat i një pune të gjatë dhe i një reputacioni të ndërtuar ndër vite në tregun amerikan. Megjithatë, pavarësisht arritjeve në SHBA, Adriatik Sheko nuk i harroi kurrë rrënjët e tij.
Ai ka vijuar të mbajë lidhje të forta me Kolonjën, ku ka investuar dhe kontribuar për komunitetin lokal. Për dy vite ai drejtoi edhe FK Gramozin, në një përpjekje për t’i kthyer diçka vendit që e formoi.
Sot, sipërmarrësi shqiptar po mendon një projekt të ri për Shqipërinë, të cilin e konsideron jo si një investim biznesi, por si një detyrim moral ndaj atdheut.
Historia e Adriatik Shekos është një dëshmi se ëndrrat mund të realizohen me punë, integritet dhe këmbëngulje, ndërsa lidhja me vendlindjen mbetet po aq e fortë, pavarësisht distancave dhe suksesit/ Eunews.al


