Richard Grenell është rikthyer në Shqipëri, duke zgjedhur bregdetin shqiptar për të kaluar javët e fundit të verës së bashku me familjen dhe miqtë.
Në një postim në rrjetet sociale, Grenell është shfaqur pranë tabelave që tregojnë drejtimin drejt Vlorës dhe Radhimës, ndërsa ka shprehur edhe një herë vlerësimin e tij për Shqipërinë dhe ujërat e Adriatikut e Jonit.
“Ujërat e Adriatikut dhe Jonit janë të mbushura me disa prej ujërave më të kripura në botë. Për mua janë shëruese”, shkruan Grenell, duke e shoqëruar mesazhin edhe me referencën biblike “Mateu 5:13” – “Ju jeni kripa e tokës”.
Ai përshkruan gjithashtu efektin që, sipas tij, kanë deti dhe dielli, duke shkruar: “Mund ta ndiej trupin tim duke përthithur kripën dhe diellin dhe duke u rigjallëruar”.
Grenell e mbyll postimin me një tjetër mesazh për Shqipërinë: “Disa javë në bregdetin e Shqipërisë janë vendi perfekt për ta mbyllur verën me familjen dhe miqtë. E dua këtë vend”.


