Gratë deputete të PS: Nuk do të lejojmë normalizimin e dhunës dhe linçimit politik

09 Sep 2026 16:48
Shpërndaje:

Gratë deputete të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste kanë dënuar me forcë sulmet verbale, kërcënimet, fyerjet dhe aktet e agresionit fizik të ushtruara ndaj deputetëve gjatë dhe për shkak të ushtrimit të mandatit të tyre.

Përmes një deklarate të përbashkët, deputetet socialiste u ndalën te rastet e fundit ndaj Iris Luarasit dhe Ilva Gjuzit, duke theksuar se ato nuk janë incidente të izoluara, por pjesë e një klime të përsëritur linçimi publik, intimidimi dhe agresioni që po kalon nga gjuha e urrejtjes në kontakt fizik.

“Kur një deputet sulmohet gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të saj, nuk cenohet vetëm individi. Cenohet funksionimi i lirë i mandatit përfaqësues, siguria e Kuvendit dhe vetë rendi demokratik”, thuhet në deklaratë.

Reklamë Ola

Deputetet theksojnë se e drejta për të protestuar është e patjetërsueshme dhe pjesë e demokracisë, por nënvizojnë se protesta nuk mund të shndërrohet në një licencë për fyerje, kërcënime, ndjekje apo dhunë fizike.

Në deklaratë kërkohet nga Policia e Shtetit identifikimi i menjëhershëm i personave të përfshirë në incidentet e fundit, administrimi i plotë i provave dhe referimi i çdo veprimi të paligjshëm. Gjithashtu, organet e drejtësisë ftohen të zhvillojnë hetime të shpejta dhe të paanshme, ndërsa strukturat përgjegjëse për sigurinë e Kuvendit të rishikojnë urgjentisht protokollet e mbrojtjes së deputetëve.

Reklamë InterMedika

Gratë deputete të PS u bëjnë thirrje organizatorëve të protestave, forcave politike, mediave, shoqërisë civile dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të grave që të dënojnë pa asnjë standard të dyfishtë çdo formë dhune, intimidimi apo linçimi publik ndaj grave në politikë.

Në përfundim të deklaratës, ato kërkojnë që brenda 72 orëve Policia e Shtetit dhe strukturat përgjegjëse të informojnë Kuvendin për masat e marra dhe planin e sigurisë, ndërsa brenda 10 ditëve të paraqitet një raport i plotë mbi identifikimin e përgjegjësve dhe masat parandaluese.

“Demokracia mbrohet me fjalë, argumente dhe votë. Aty ku fillon dhuna, mbaron protesta. Dhe aty duhet të fillojë përgjegjësia”, përfundon deklarata.