Është konstituuar këtë të hënë Komisioni i Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të reformës administrativo-territoriale, në një mbledhje ku morën pjesë vetëm deputetët e mazhorancës.
Kryetari i komisionit, Arbjan Mazniku, u bëri thirrje përfaqësuesve të opozitës të përfshihen në proces, duke theksuar se një reformë që prek organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor kërkon bashkëpunimin e të gjitha forcave politike.
“Duhet të punojmë të gjithë së bashku, sepse një reformë që prek në mënyrë të rëndësishme arkitekturën e shtetit nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse ndërtohet nga një palë e vetme”, deklaroi Mazniku.
Ai ftoi opozitën të propozojë anëtarët e saj në komision, në përputhje me vendimin për ngritjen e këtij organi parlamentar.
Në fokus kompetencat dhe financat e bashkive
Sipas Maznikut, faza e dytë e reformës do të përqendrohet në rishikimin e funksioneve, kompetencave dhe financimit të njësive të qeverisjes vendore.
Puna e komisionit do të përfshijë shqyrtimin e tre ligjeve kryesore: ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, ligjit nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore” dhe ligjit nr. 102/2020 “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”.
Mazniku theksoi se analiza e strukturave të reja territoriale do të shërbejë si bazë për propozimet ligjore dhe për përcaktimin e përgjegjësive të bashkive.
Financimi vendor, një nga sfidat kryesore
Duke iu referuar Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, Mazniku nënvizoi se financimi i pushtetit vendor mbetet një çështje që kërkon vëmendje të veçantë.
Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të bashkive vazhdon të sigurohet përmes transfertave, çka evidenton nevojën për forcimin e kapaciteteve financiare dhe administrative.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e përmirësimit të aftësive të bashkive për mbledhjen e të ardhurave, përgatitjen e projekteve të investimeve dhe zbatimin e politikave të zhvillimit rajonal.
Për realizimin e reformës, komisioni do të bashkëpunojë me institucionet qeveritare, universitetet, ekspertët e fushës dhe partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Komisionin Evropian dhe Këshillin e Evropës.
Mbështetje do të kërkohet edhe përmes projektit “Bashkitë e Forta”, të financuar nga qeveria zvicerane.
Mazniku theksoi se rekomandimet e institucioneve evropiane do të shërbejnë si orientim për fazën e dytë të reformës, me synim forcimin e autonomisë vendore dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.


