Rama: Shqipëria e përkushtuar ndaj anëtarësimit në BE
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha të mërkurën në Uashington se Shqipëria është e angazhuar në rrugën drejt anëtarësimit në BE, megjithatë edhe pas prezantimit të metodologjisë së re për organizatën nuk pranoi të bënte parashikime për kohën e hapjes së negociatave. Zoti Rama foli në Këshillin e Atlantikut gjatë një vizite në Uashington ku u takua me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo dhe zyrtarë të tjerë të lartë të administratës. Siç njofton kolegia Keida Kostreci, ai foli për marrëdhëniet dypalëshe, të ardhmen e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe nismën e fundit kundër krimit të organizuar.
Megjithëse metodologjia e re e paraqitur për bisedimet e anëtarësimit për zgjerimin e BE-së po shihet si një mundësi që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ta marrin ftesën në Mars, kryeministri Rama tha se nuk mund të thotë nëse kjo do të ndodhë, sepse bëhet fjalë për 27 vende.
“Nuk i dihet kurrë se ç’ndodh me njërin prej tyre dhe mund të thotë ‘jo nuk jemi gati për ta’”.
Por ai shtoi se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe ajo vazhdon të jetë e përkushtuar ndaj atij synimi.
“Ne vazhdojmë të bëjmë punën tonë, njëlloj siç do të kshim bërë nëse bisedimet do të ishin hapur. Prandaj Shqipëria vetë nuk po humb kohë, nuk po rri duke qarë në pritje që të ndodhë ndonjë mrekulli dhe ndoshta gjëja e bukur do të ishte sikur të ndodhte kur të mos ta prisnim më, në të ardhmen e afërt”, tha ai.
“Ne kemi pasur një jetë të vështirë, duke qenë peng të perandorive që nuk i kishim zgjedhur dhe ky është vendi ku donim të ishim për një kohë të gjatë dhe hyrja atje do të ishte sikur t’i shpëtonim përgjithmonë mallkimit të historisë”, vazhdoi kryeministri Rama.
Zëvendës presidenti i Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson që moderoi bisedën me Kryeministrin Rama, vlerësoi faktin që kur vjen puna tek aleanca me Shtetet e Bashkuara, të gjitha forcat politike shqiptarë janë në një emërues të përbashkët.
Kryeministri Rama tha se jo vetëm Shqipëria, por gjithë Ballkani Perëndimor është një rajon më i mirë para së gjithash falë Shteteteve të Bashkuara që kanë kontribuar tek transformimi i tij nga një zonë me armiqësi dhe kapitujve të gjatë të konfliktit dhe gjakderdhjes, në një zonë paqeje dhe bashkëpunimi.
“Por sigurisht ende nuk jemi ku mundemi dhe duhet të jemi, sepse ka akoma çështje dhe probleme për të zgjidhur dhe ne shpresojmë në ndihmën e miqve amerikanë dhe si komb shqiptar, si shqiptarë që jetojmë jo vetëm në Shqipëri por edhe në gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, jemi absolutisht në një gjendje më të mirë”.
Gjatë takimit me zotin Rama, në Departamentin e Shtetit, Sekretari Mike Pompeo theksoi mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe përpjekjeve të tanishme për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore.
Si Sekretari Pompeo ashtu edhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brian vlerësuan angazhimin e Shqipërisë për kontributin në aleancën e NATO-s dhe kundërvënien ndaj veprimtarive keqdashëse të Iranit.
Eunews.al