Franca raporton rastin e parë te njeriu me virusin Shamonda

22 Oct 2026 • 21:14
Shpërndaje:

Franca ka raportuar rastin e parë të njohur të infektimit të një njeriu me virusin Shamonda, i cili deri tani ishte identifikuar vetëm te kafshët. Pacienti, që kishte sistem imunitar rëndë të dobësuar, ndërroi jetë në fillim të tetorit.

Sipas autoriteteve franceze të shëndetësisë dhe bujqësisë, pacienti po trajtohej për një sëmundje të rëndë që e bënte më të cenueshëm ndaj infeksioneve dhe komplikacioneve.

Autoritetet thanë se komplikacionet në tru të konstatuara përpara vdekjes “me shumë gjasë” lidheshin me infeksionin. Megjithatë, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) theksoi se ende nuk është e qartë nëse virusi e shkaktoi vdekjen apo kontribuoi në të.

Reklamë Ola

Autoritetet franceze e cilësuan ngjarjen si një rast të jashtëzakonshëm te një pacient me imunitet shumë të dobësuar dhe deklaruan se nuk ka rrezik shëndetësor për popullatën e përgjithshme.

Virusi Shamonda transmetohet mes kafshëve përmes pickimit të mushkonjëzave të infektuara. Ai u zbulua për herë të parë këtë vit te kafshët e fermave në Evropë, ndërsa më parë ishte identifikuar kryesisht në Afrikë.

Reklamë InterMedika

Infeksioni vërehet më shpesh te gjedhët, por është konstatuar edhe te kuajt, delet, dhitë dhe një alpakë. Te gjedhët mund të shkaktojë temperaturë, diarre, plogështi, ulje të prodhimit të qumështit dhe shenja të lehta respiratore.

Sipas ECDC-së, që prej verës virusi është identifikuar te kafshët në Austri, Belgjikë, Francë, Gjermani, Irlandë, Itali, Lihtenshtajn, Luksemburg, Holandë, Portugali, Spanjë dhe Zvicër.

Mënyra e infektimit të pacientit mbetet nën hetim. Autoritetet franceze dyshojnë se ai mund të jetë infektuar nga pickimi i një mushkonjëze në lindje të Francës, ku virusi qarkullon te kafshët që prej pranverës.

ECDC-ja bëri të ditur se po monitoron situatën dhe po bashkëpunon me autoritetet franceze dhe partnerët evropianë për të vlerësuar pasojat e mundshme të këtij rasti për shëndetin publik.