Kuvendi ratifikoi sot Konventën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, marrëveshja e parë ndërkombëtare me fuqi detyruese që i kushtohet tërësisht mbrojtjes së këtij profesioni.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, shpjegoi përmes një videomesazhi se Konventa parashikon pesë detyrime kryesore për shtetin shqiptar, që lidhen me ushtrimin e lirë të profesionit, konfidencialitetin dhe sigurinë e avokatëve.
Sipas tij, avokatët duhet ta ushtrojnë detyrën pa frikë dhe pa pengesa të padrejta. Kjo përfshin mundësinë për të takuar klientin, për t’u njohur me dosjen dhe për të marrë pjesë efektivisht në procesin ku e përfaqësojnë.
Një tjetër garanci është ruajtja e konfidencialitetit të komunikimit mes avokatit dhe klientit. Konventa mbron gjithashtu të drejtën e avokatëve për t’u shprehur lirisht, duke respektuar përgjegjësitë profesionale.
Gogu theksoi se shteti duhet të hetojë seriozisht kërcënimet apo sulmet ndaj avokatëve për shkak të punës së tyre. Po ashtu, dhomat e avokatisë duhet të jenë të pavarura dhe vetëqeverisëse.
Konventa u miratua nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës në mars 2025 dhe u hap për nënshkrim në Luksemburg më 13 maj të atij viti. Shqipëria e nënshkroi në Strasburg në qershor 2026.
Qeveria miratoi projektligjin për ratifikimin në korrik, ndërsa Komisioni i Ligjeve e shqyrtoi më 6 tetor.
Pas ratifikimit, Ministria e Drejtësisë do të njoftojë institucionet për detyrimet që rrjedhin nga Konventa. Brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, ajo do t’i paraqesë Komisionit të Ligjeve një analizë mbi përputhshmërinë e legjislacionit shqiptar me standardet e saj.
Analiza do të përfshijë ligjin për avokatinë, Kodin e Procedurës Penale dhe aktet nënligjore, ndërsa do të hartohet në konsultim me Dhomën Kombëtare të Avokatisë.


