Britania, deri në 5 milionë paund për luftën kundër trafikimit në Ballkan

22 Oct 2026 • 20:42
Shpërndaje:

Mbretëria e Bashkuar do të akordojë deri në 5 milionë paund për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, në luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar.

Paketa u njoftua nga ministri britanik i Shtetit për Evropën, Lord Wood of Anfield, gjatë Samitit të Procesit të Berlinit në Mal të Zi.

Financimi do të përdoret për trajnime, ekspertizë britanike dhe forcimin e shkëmbimit të informacionit mes institucioneve të rajonit. Synimi është goditja e rrjeteve kriminale dhe parandalimi i shfrytëzimit të emigrantëve.

Reklamë Ola

Nga Budva, ministri britanik tha se bandat kanë shfrytëzuar prej kohësh rrugët e rajonit, duke përfituar nga personat e pambrojtur dhe duke rrezikuar jetët e tyre. Sipas tij, mbështetja e re do të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe sigurinë evropiane.

Sipas njoftimit për mediat, pajisjet dhe trajnimet e financuara nga Londra kanë ndihmuar autoritetet e Ballkanit Perëndimor të kryejnë më shumë se 100 ndërhyrje të lidhura me emigracionin që prej qershorit 2026, si dhe të godasin disa banda kriminale.

Reklamë InterMedika

Ndihma do të mbështesë edhe Task-Forcën e Përbashkët të Emigracionit (JMTF), e cila bashkon specialistë nga vende të ndryshme për të identifikuar dhe ndërprerë veprimtaritë e paligjshme. Deri tani, ajo ka zhvilluar operacione në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Qeveria britanike tha se do të vijojë bashkëpunimin me partnerët për të goditur rrjetet e trafikimit dhe organizatorët e emigracionit të paligjshëm përpara se të rrezikojnë jetë të tjera.