Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjin për të drejtën e autorit, sipas draftit përfundimtar të dorëzuar nga Komisioni për Kulturën dhe Turizmin, i drejtuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa.
Megjithëse komisioni që ajo drejton paraqiti variantin përfundimtar, Zhupa nuk mori pjesë në votim, duke ndjekur bojkotin e opozitës.
Ligji vendos detyrime për platformat online, përfshirë YouTube, Facebook dhe TikTok, që të marrin autorizim për përdorimin e veprave të mbrojtura dhe të reagojnë ndaj shkeljeve të së drejtës së autorit.
Platformat ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri pa pasur seli në vend do të duhet të caktojnë një përfaqësues ligjor këtu, ku krijuesit të mund të drejtohen për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Ndryshimet forcojnë gjithashtu pozitën e autorëve në kontrata. Ata do të kenë të drejtë të informohen për përdorimin e veprave dhe të ardhurat që ato gjenerojnë, si dhe të kërkojnë rishikimin e kontratës kur e konsiderojnë shpërblimin të padrejtë.
Në tregun e administrimit kolektiv të të drejtave të autorit synohet shtimi i konkurrencës dhe i mundësive të zgjedhjes për krijuesit.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, njoftoi se për zbatimin e kompetencave të reja do të riorganizohet Drejtoria e të Drejtës së Autorit pranë ministrisë. Ajo do të përforcohet me një strukturë të dedikuar për fushën digjitale dhe me 11 punonjës shtesë.
Sipas ministrit, ndryshimet synojnë mbrojtjen më të mirë të krijuesve shqiptarë dhe përafrimin e legjislacionit me standardet evropiane.


