Kryeministri Edi Rama ka folur për fëmijërinë dhe dy episodet kur është dhunuar fizikisht, gjatë një interviste me gazetaren Rudina Xhunga në podkastin “Flasim”.
I pyetur për pretendimet e kundërshtarëve politikë se mund të ketë qenë i bullizuar në fëmijëri, Rama e mohoi këtë dhe e përshkroi veten si një fëmijë rebel që thyente kufijtë.
“Kam qenë rebel, thyeja thuajse çdo kufi, por i bullizuar asnjëherë. Kam në jetën time dy rrahje, ku nuk kam rrahur, por më kanë rrahur”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, episodi i parë ndodhi pranë Pallatit të Sportit “Partizani”, pas një ndeshjeje me Apoloninë.
Kryeministri tregoi se ndeshja kishte qenë e tensionuar dhe se sjellja e tij provokuese në fushë ishte pasuar nga një sulm jashtë saj.
“Ishte një ndeshje e tensionuar dhe, duke qenë se edhe si lojtar isha ndonjëherë provokator, provokimet, kundërprovokimet dhe tensionin në fushë e pagova me një rrethim nga disa çuna. Më goditën me shpejtësi dhe në mënyrë të pabesë, derisa mbeta përtokë”, tha Rama.
Episodi i dytë, sipas tij, ishte sulmi i janarit të vitit 1997, kur iu bë pritë pranë hyrjes së banesës.
“Tjetra është rrahja që dihet botërisht, e janarit 1997, kur më bënë pritë te rruga që të çonte në hyrjen e shtëpisë dhe më lanë duke menduar se kisha vdekur”, u shpreh kryeministri.
Rama tha se gjendja e tij pas sulmit ishte vlerësuar si shumë e rëndë nga mjekët në Shqipëri dhe në Francë. Sipas tij, gjatësia dhe përgatitja fizike nga sporti e ndihmuan të përballonte goditjet.
Gjatë intervistës, kryeministri iu përgjigj edhe pretendimeve të bëra ndër vite nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, për rrethanat e sulmit të vitit 1997.
Rama i mohoi këto pretendime, duke deklaruar se në atë periudhë bashkëjetonte me një grua dhe se në apartamentin e tyre qëndronte edhe një mik nga Shkodra.
“Ato riprodhohen nga një gojë e shthurur, me të cilën nuk dua të merrem, përveç rasteve kur ma imponon fushata. Është e qartë se nuk ka pasur lidhje me ndonjë krim pasioni dhe se nuk kam qenë me një burrë. Kam qenë me një vajzë me të cilën bashkëjetoja dhe me një shok nga Shkodra që jetonte në apartamentin tonë”, tha Rama.
Kryeministri deklaroi se i njeh personat që, sipas tij, e sulmuan në vitin 1997. Ai shtoi se njëri prej tyre, tashmë i ndarë nga jeta, ishte penduar, ndërsa personi tjetër nuk e kishte pranuar përfshirjen.
“Njëri prej tyre është penduar dhe tani ka ndërruar jetë. Tjetri nuk e ka pranuar dhe as e kam pyetur, por është penduar në një mënyrë tjetër, duke treguar miqësi”, përfundoi Rama.


