Kryeministri Edi Rama ka folur për projektet turistike në Sazan dhe Zvërnec, duke sqaruar fazën ku ndodhen negociatat dhe statusin e pronësisë së dy zonave.
Në intervistën me gazetaren Rudina Xhunga në podkastin “Flasim”, Rama u ndal edhe te vizita e Ivanka Trump në Vlorë disa muaj më parë, së bashku me një grup inxhinierësh.
Sipas kryeministrit, vizita ishte publike dhe fillimisht u prit pozitivisht, por më pas u shoqërua me spekulime dhe informacione që ai i cilësoi të pavërteta.
“Ivanka Trump ishte në Vlorë disa muaj më parë me një grup inxhinierësh. Vizita u bë publike dhe kishte pozitivitet. Më pas publiku spekuloi dhe në këtë debat morën pjesë edhe media të mëdha, duke e bërë të vështirë vendosjen e së vërtetës”, tha Rama.
Kryeministri sqaroi se Sazani dhe Zvërneci janë dy projekte të ndryshme, megjithëse, sipas tij, lidhen me të njëjtët investitorë.
Dallimi kryesor është statusi i pronësisë: ishulli i Sazanit është pronë shtetërore, ndërsa territori ku parashikohet projekti në Zvërnec është pronë private.
Për Sazanin, Rama deklaroi se nuk është nënshkruar ende asnjë kontratë dhe se bisedimet me investitorët vazhdojnë prej disa vitesh.
Ai mohoi mundësinë e shitjes së ishullit, duke theksuar se investitorët nuk kanë kërkuar ta blejnë dhe se territori do të vazhdojë të mbetet pronë e shtetit shqiptar.
“Sazani është në negociata prej vitesh. Ne po negociojmë me palën tjetër se si do të ndërtohet bashkëpunimi dhe kemi vendosur disa kufij. Investitorët nuk kanë kërkuar asnjëherë ta blejnë. Sot nuk ka asnjë kontratë, por vetëm negociata”, deklaroi Rama.
Sipas tij, ishulli ka një sipërfaqe prej rreth 560 hektarësh, ndërsa bisedimet për zhvillimin turistik përfshijnë vetëm rreth 8 për qind të territorit, ose afërsisht 45 hektarë.
Rama tha se Sazani është një territor me potencial të madh turistik, por aktualisht përballet me mungesë infrastrukture dhe probleme që kërkojnë investime të konsiderueshme.
“Sazani është një territor shumë i bukur, por edhe problematik. Është zonë e minuar dhe duhet të bëhet çminimi. Nuk ka ujë dhe nuk ka energji elektrike”, u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se edhe qeveritë e mëparshme kanë tentuar të tërheqin investitorë për zhvillimin e ishullit, duke përmendur paraardhësit e tij dhe ish-kryeministrin Fatos Nano.
Sa i përket Zvërnecit, Rama deklaroi se bëhet fjalë për një proces të veçantë, i cili gjithashtu ka nisur prej disa vitesh.
Kryeministri bëri të ditur se qeveria e ka refuzuar projektin e parë të paraqitur nga investitorët dhe është në pritje të një propozimi të ri.
“Në Zvërnec kemi një histori tjetër, disavjeçare. Sot jemi në pritje të një projekti të ri, pasi projektin e parë e kemi refuzuar. Për Sazanin nuk i kemi përfunduar ende negociatat”, tha Rama.
Ai përsëriti se statusi i dy projekteve është i ndryshëm, pasi toka në Zvërnec është private, ndërsa Sazani është dhe do të mbetet pronë shtetërore.


