Kryeministri Edi Rama ka folur për protestat, momentin kur mendoi mundësinë e dorëheqjes dhe ndikimin e profileve jo reale në përhapjen e narrativave në rrjetet sociale.
Gjatë intervistës me gazetaren Rudina Xhunga në podkastin “Flasim”, Rama tha se reagimet dhe pakënaqësitë e qytetarëve e shtynë të analizonte ndryshimet e ndodhura në shoqërinë shqiptare dhe rritjen e pritshmërive ndaj qeverisjes.
Sipas tij, një drejtues duhet të ketë aftësinë të dëgjojë edhe ata që e sfidojnë dhe të pranojë mundësinë se kritikat e tyre mund të jenë të drejta.
“Besoj se aty fillon një provë e vërtetë për një lider apo drejtues, mes krenarisë dhe kurajës për të pranuar se mund të ketë të drejtë edhe ai që të sfidon”, u shpreh Rama.
Kryeministri u ndal më pas te deklarata që kishte bërë pas nisjes së protestave në Tiranë, kur kishte pranuar se kishte menduar edhe dorëheqjen.
“Dorëheqja, mbase vjen momenti për ta shpjeguar”, tha ai.
Për të argumentuar qëndrimin e tij, Rama solli si shembull rastin e një kryetari bashkie që, pavarësisht investimeve të realizuara në një komunitet, ishte përballur me pakënaqësinë e banorëve.
Sipas kryeministrit, një reagim i tillë nuk duhet të interpretohet domosdoshmërisht si mosmirënjohje, por si pasojë e rritjes së kërkesave dhe pritshmërive të qytetarëve.
“Sa më shumë vendi ecën, aq më shumë qytetari është i prirur të pyesë: ‘Po kjo tjetra?’. Deri dje ishte një kohë në Shqipëri kur votat fitoheshin me çakull. Hidhnin çakull në një lagje dhe njerëzit e shprehnin mirënjohjen me votë”, deklaroi Rama.
Ai kujtoi periudhën kur ndërtimi i një rruge apo shkolle dhe instalimi i ndriçimit publik shoqëroheshin me duartrokitje nga qytetarët, ndërsa sot këto shërbime konsiderohen detyrime normale të institucioneve.
“Kam përjetuar gjatë kohën kur një rrugë, një shkollë e ndërtuar apo një sistem ndriçimi shoqërohej me duartrokitje dhe buzëqeshje të mëdha. Tani nuk është më kështu”, tha kryeministri.
Rama pranoi se fillimisht nuk e kishte kuptuar menjëherë këtë ndryshim në sjelljen dhe pritshmëritë e qytetarëve.
“Nuk e prisja dhe nuk e kuptova menjëherë. M’u desh të filloja të ndiqja shenjat dhe të analizoja. Ka pasur disa momente që më kanë ndihmuar shumë për ta kuptuar”, u shpreh ai.
Këtë fazë të zhvillimit të vendit, kryeministri e cilësoi si “revolucioni i pritshmërive të larta”. Sipas tij, përmirësimi i një shërbimi krijon menjëherë kërkesa të reja për një standard edhe më të lartë.
“Është një ndryshim i stinës së Shqipërisë. Quhet revolucioni i pritshmërive të larta. Një qytet që jeton me dy orë ujë në ditë, kur fillon të marrë 14 orë, kërkon 24 orë”, deklaroi Rama.
Në pjesën tjetër të intervistës, kreu i qeverisë foli për ndikimin e teknologjisë dhe profileve të krijuara artificialisht në formimin dhe përhapjen e narrativave në rrjetet sociale.
Duke iu referuar debateve rreth investimit në Sazan dhe pretendimeve për lidhjen e tij me Izraelin, Rama tha se disa narrativa janë amplifikuar nga një “ushtri” llogarish jo reale.
“Ata nuk ekzistojnë. Janë të krijuar në laborator dhe u japin zë narrativave të ndryshme. Marrin pamje, jetë dhe formë, deri në pikën që nuk arrin ta dallosh nëse janë realë apo jo”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, edhe platformat e mëdha të rrjeteve sociale e kanë të vështirë të identifikojnë disa prej këtyre profileve, të cilat përdoren për të krijuar tension dhe për të përhapur mesazhe të caktuara.
Kryeministri foli gjithashtu për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë pas sulmit të lidhur nga autoritetet shqiptare me Iranin.
“Ne e krijuam mbrojtjen kibernetike nga halli, sepse u gjendëm përballë një sulmi nga Irani. Nuk ia dolëm të mbroheshim dhe kuptuam se duhej të forcoheshim në këtë drejtim”, tha Rama.
Ai pretendoi se Shqipëria disponon tashmë teknologji të avancuar dhe kapacitete më të mëdha për identifikimin e ndërhyrjeve të huaja.
“Kemi mësuar që përpara se t’ia atribuojmë dikujt një sulm, duhet të sigurohemi për të vërtetën”, përfundoi kryeministri.


