Meloni: Koalicioni i Madh po forcon AfD-në

11 Sep 2026 21:25
Shpërndaje:

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka deklaruar se forcimi i partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë është pasojë e paaftësisë së koalicionit qeverisës në Berlin për t’u dhënë përgjigje të qarta votuesve.

Sipas saj, “Koalicioni i Madh” mes Kristian Demokratëve dhe Social Demokratëve nuk ka arritur të mbajë një qëndrim të qartë për emigracionin dhe çështje të tjera që shqetësojnë qytetarët gjermanë.

Meloni i bëri komentet pas rezultatit të AfD-së në zgjedhjet në landin Saksoni-Anhalt, ku partia siguroi rreth 44 për qind të votave dhe synon të marrë drejtimin e qeverisë rajonale.

Reklamë Ola

“Besoj se demokracia duhet të respektohet, sepse nuk ka të bëjë vetëm me vlerat, por edhe me marrëdhëniet me Evropën”, deklaroi kryeministrja italiane, sipas agjencisë ANSA.

Ajo kundërshtoi krahasimet ndërmjet situatës politike në Gjermani dhe asaj në Itali, duke argumentuar se qeveria e saj e djathtë po u jep përgjigje qytetarëve për çështje si emigracioni.

Reklamë InterMedika

Sipas Melonit, koalicionet që bashkojnë qendrën e djathtë dhe qendrën e majtë e kanë të vështirë të mbajnë qëndrime të qarta për tema të ndjeshme.

“Zgjidhje të tilla, për shkak të vështirësive për të marrë një qëndrim të qartë mbi çështje të rëndësishme për qytetarët, përfundojnë duke nxitur rritjen e lëvizjeve si AfD-ja”, tha ajo.

Rezultati i partisë gjermane ka shkaktuar reagime të ndryshme edhe brenda koalicionit qeverisës italian.

Zëvendëskryeministri dhe drejtuesi i Forza Italia-s, Antonio Tajani, e cilësoi fitoren e AfD-së si një “lajm të tmerrshëm”. Ndërsa Matteo Salvini, kreu i partisë së djathtë Liga, e përshëndeti rezultatin e saj.

Meloni theksoi se në Itali qeveria përbëhet nga forca të qendrës së djathtë dhe të djathta, të cilat, sipas saj, ofrojnë përgjigje më të drejtpërdrejta për kërkesat e qytetarëve.

Ajo veçoi emigracionin si një prej temave kryesore që ka ndikuar në rritjen elektorale të AfD-së në Gjermani.